Fitorja ndaj Erzenit kampion në fuqi ka gëzuar të gjithë në kampin shkodran. Vllaznia në volejboll për meshkuj e ka nisur krejt ndryshe kampionatin e ri.
Një nisje e cila nuk ka asgjë të përbashkët me atë të një sezoni më parë kur ajo nuk arriti të futej dot as në katërshen e ekipeve më të mira. Në fakt është thuajse i njëjti kontigjent lojtarësh.
Thjesht është rikthyer Nikolin Qafarena pas një përvoje të suksesshme në Kosovë ku u shpall kampion. Ky i fundit është “graduar” tashmë kapiten i ekipit dhe pas fitores me shijakasit, për “Shkodra Sport” është shprehur:
“Të them të drejtën vërtetë shumëkush mund të mos ketë besuar se mund ta fitonim këtë ndeshje, por unë personalisht kisha bindje të plotë për këtë.
Një bindje që vinte nga mënyra si e kishim përgatitur ndeshjen. Treguam se kush është Vllaznia e vërtetë. Luajtëm ndaj një skuadre si Erzeni të mirëfinancuar dhe që në rradhët e saj kishte lojtarët të mirë të Shqipërisë por ne ishim të motivuar për të fituar dhe ia dolëm.
Besoj se do të jemi dinjitoz deri në fund të kampionatit. Objektivin për të qenë në katërshe mendoj se do e arrijmë por për të pretenduar më shumë, duhet një sponsor.
Ekipet e tjera pretendente do të marrin dhe vazhdojnë të marrin lojtarë dhe për këtë arsye, nuk jemi të barabartë. Gjithsesi, do të tregojmë vlerat tona më të mira”.
© shkodrasport.com