Për herë të parë pas shumë vitesh, një mundës I Vllaznisë arrin të shpallet kampion kombëtar. Ka ndodhur kështu me mundësin Qamil Bajrami I cili në peshën 74 kilogramë ka sfiduar të gjithë kundërshtarët e tij duke zënë vendin e parë në këtë peshë. Kampionati kombëtar I mundjes së lirë është zhvilluar ditën e shtunë në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe ka patur një pjesmarrje të madhe sportistësh nga të gjithë ekipet e vendit.
Pavarësisht kësaj pjesmarrje, Qamil Bajrami ka arritur të shpallet kampion dhe të vlerësohet si mundësi më I mirë I kampionatit. Në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com, ky mundës ka shprehur kënaqësinë e tij për suksesin e arritur dhe ka premtuar edhe të tjerë për të ardhmen. “mendoj se ishte frut i punës së bërë prej kohësh bashkë me trajnerët e mi, Nazmi Elezi dhe Dedë Bregu. Kam arritur të fitoj tre ndeshje përballë kundërshtarëve shumë të fortë, të cilët ishin shpallur edhe më parë kampion dhe kam merituar në fund vendin e parë por edhe kupën e sportistit më të mirë të kampionatit ngaqë fitova me mundësin e Tiranës që ka përfituar edhe bursë olimpike, si një ndër më të mirët e vendit. Unë nuk do ndalem këtu por do kërkoj medalje edhe në arenën ndërkombëtare. Sigurisht që me kushte më të mira stërvitje, besoj se edhe 2-3 sportistë të tjerë të Vllaznisë do të ishin edhe ato kampionë dhe shpresoj shumë që Bashkia apo dhe institucione të tjera të na ndihmojnë për ta kompletuar palestrën sepse Shkodra ka nxjerrë dhe do vazhdojë të nxjerrë kampiona në mundje”- ka thënë kampioni i saposhpallur.
Mundja është një sport me shumë tradita në Shkodër dhe këto tradita po vazhdojnë sërish duke nxjerrë të tjerë kampionë dhe kjo është shumë e rëndësishme
Gjergj KOLA
Mundesi Qamil Bajrami bashke me trajnerin e tij Nazmi Elezi pas suksesit te fundit