Tjetër fitore për Vllaznia U19 dhe tashmë ajo udhëheq e vetme renditjen e kampionatit (rivalja e saj Shkëndia ka edhe dy ndeshje për të luajtur). Kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani kanë mundur pasditen e sotme ekipin Akademia e Futbollit me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.
Ndeshja është shoqëruar me shumë momente interesante. Që në minutën e 5-të vendasit kanë fituar një 11-metërsh por gjuajtja e Tucit është pritur mrekullisht nga portieri Kristi Qarri.
Ndërkohë në minutën e 33-të Vllaznia U19 ka kaluar në avantazh falë autogolit të Trokthit. Pjesa e parë u mbyll me fitoren e ekipit shkodran ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht në ’48 me anë të Skënderit vendasit kanë barazuar rezultatin.
Loja me kalimin e minutave fitoi emocione megjithatë goli i fitores ka vonuar të dalë në skenë. Ka qenë Eridon Qardaku i cili në minutën e 76-të ka shënuar golin e dytë dhe të fitores.
Përfundimisht 2-1 për Vllaznia U19 që me këtë trepikësh ngjitet në kuotën e 34 pikëve duke mbajtur për momentin vendin e parë në renditje.
Ajo tashmë është në pritje të rezultateve të ekipit të Shkëndisë për të mësuar kësisoj nëse do të jetë ajo “kampione dimri” apo Shkëndia.
© shkodrasport.com