Nga sezoni i ri, Besa e Dobërdollit do të jetë pjesë e Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut. Skuadra shqiptare arriti që të dilte kampione në Ligën e Dytë, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në elitë për sezonin e ardhshëm.

Izair Emini, që nga futbollist do të bëhet drejtor sportiv te Besa e Dobërdollit, po mendon që të bëjë revolucion në ekip. Ky revolucion pritet që të nisë që nga pankina, aty ku klubi shqiptar që militon në Maqedoninë e Veriut ka ‘shigjetuar’ objektivin.

Qatip Osmani është i shumëdëshiruari i drejtuesve të Besës, të cilët e shohin 54-vjeçarin si të duhurin për të marrë në dorë ‘frenat’ e ekipit. Por, deri tani është thjeshtë një dëshirë e drejtuesve, duke mos pasur asgjë konkrete.

Trajneri tetovar është momentalisht i papunë, ku së fundmi ishte pjesë e Vllaznisë, por klubi shkodran vendosi ta shkarkonte për ta zëvendësuar me gjermanin, Thomas Brdaric.

Kujtojmë që ky do të ishte një rikthim për teknikun 54-vjeçar në Maqedoni, pasi më parë ka drejtuar ekipe si Shkëndija e Tetovës, Renova dhe Shkupi./newsport/