Erkand Qerimaj është shprehur i emocionuar pas një tjetër suksesi të arritur në Europianin e rradhës. Pas kthimit në Shkodër, peshëngritësi fitues i dy medaljeve në Kroaci, në një prononcim për “SHKODRA SPORT” deklaron se ishte i bindur tek suksesi dhe njëkohësisht, premton se ky është fillimi i një serie tjetër rezultatesh pozitive në arenën ndërkombëtare.


“Para nisjes deklarova se objektivi ishte medalja e artë dhe gjithmonë objektivat janë normalisht të larta sepse po nuk i pate ato, kuptohet që nuk mund të marrësh medalje. Synimet tona, bashkë me trajnerin Zef Kovaçi, ato ishin por garë është garë dhe ka edhe ajo të papriturat e veta. Gjithsesi unë do ta konsideroja një Kampionat të suksesshmin për mua këtë Europianin e fundit që u zhvillua në Kroaci sepse mora një medalje të argjentë në shtytje dhe një të bronztë, rrjedhimisht edhe vendin e tretë në dygarësh, duke qenë e vetmja medalje e ekipit shqiptar në dygarësh.Ky është një start i ri për mua pas një periudhe pauze nga podiumi mund të thosha se tashmë edhe për njëfarë periudhe nuk do ta lëshojë atë”- ka deklaruar Qerimaj. Gara e Splitit në fakt ka patur shumë emocione brenda. Fakti që shkodrani arriti vetëm në provën e fundit të fitojë dy medalje, e tregon më së miri këtë gjë. Vetë Erkandi e pranon vështirësinë që pati gara por edhe bindjen për të mos dalë pa medalje kur thotë: “Vërtetë kam shumë eksperiencë në të tilla aktivitete por sërish mu duk vetja sikur të ishte i pari për mua dhe kisha shumë emocione. Kjo është normale sepse është puna e një viti të tërë, shumë sakrifica dhe natyrisht ka edhe ankth nëse do ia dalësh me sukses apo jo. E gjithë kjo punë mblidhet në një ditë, në pak minuta dhe nuk ke kohë ta rikuperosh, prandaj duhet të jesh shumë i përqendruar. Faktikisht, prova e tretë në shtytje, ajo që më dha dy medaljet, në vend që të ishte prova më e sikletshme, ka qenë më e qeta për mua. Në provën e parë u nguta sepse më erdhi shumë e lehtë shtanga dhe më gjeti të papërgatitur si duhet për ta ngritur. Në të dytën ndërkohë bëra një gabim që në fakt nuk e bëj asnjëherë në stërvitje por janë pjesë e sportit dhe ndodhin dhe janë të pranueshme. Në provën e tretë arrita të koncentrohem si duhet dhe t’i bëj detyrat mirë. Arrita ta realizoj dhe madje nga mënyra e lehtë si e realizova, tregon se kam mundësi edhe për më shumë pavarësisht se në stërvitje unë kisha arritur të ngrejë 190 kg dhe këtu ngrita 193 kg, por mund të shkoja edhe më shumë. Kisha shumë besim se do ia dilja me sukses por nga ana tjetër, nuk kisha mundësi tjetër për t’u ngjitur në podium dhe e shfrytëzova në maksimum”.  E rëndësishme është që Erkandi tregoi edhe njëherë tjetër vlerat e tij si kampion duke e çuar numrin e medaljeve në arenën ndërkombëtare në 42 të tilla, më shumë se askush tjetër. Por medaljet dhe titujt e shumtë të fituar prej vitesh, nuk e kanë ngopur atë. Përkundrazi, i kanë shtuar dëshirën për të bërë gjëra edhe më të mira në të ardhmen.
© shkodrasport.com