Javën e ardhshme në Kroaci do të zhvillohet kampionati europian i peshëngritjes dhe i vetmi shqiptar që ka arritur të shpallet kampion i këtij kontinenti – Erkand Qerimaj, do të synojë të shpallet sërish më i miri i Europës.  Shtangisti shkodran ka kohë që stërvitet për këtë eveniment bashkë me trajnerin e tij Zef Kovaçi dhe forma sportive që gëzon, e bë atë të besojë se do të dalë të shpallet sërish Kampion. Një besim që ai e mbështet tek forma që gëzon dhe tek puna e bërë. Këtë gjë ai e ka bërë të ditur edhe në një prononcim për “SHKODRA SPORT” kur deklaron: “Forma është shumë e mirë duke parë testet fizike që kemi zhvilluar ditët e fundit bashkë me trajnerin tim Zef Kovaçi. Natyrisht që këtu ndikon edhe pjekuria e viteve, eksperienca dhe kjo është e pranishme kudo në stërvitje, në teknikë e kudo. Besoj se forma aktuale është jashtëzakonisht e mirë e kjo shihet në rezultatet që kam arritur gjatë kësaj periudhe në stërvitje. Madje, mund t’u them se në stilin e shkëputjes kam arritur të realizoj rezultatin tim më të mirë në karrierën time sportive. E po ashtu edhe në shtytje, gëzoj një formë të mirë. Pjesa tjetër e kombëtares është stërvitur në Durrës por duke qenë se sporti ynë është individual, preferuam që stërvitjen tonë për Europianin ta zhvillojmë në Shkodër, në qetësi, ashtu siç na pëlqen mua dhe trajnerit tim. Kam arritur të shpallem Kampion Europe, të fitojë 40 medalje të ndryshme ndërkombëtare, pikërisht duke u stërvitur në këtë mënyrë dhe prandaj sërish vepruam kështu. Ajo që është e rëndësishme në Europianin e Kroacisë është të ruaj këtë formë. Nuk shkoj atje rastësisht. Shkoj me emrin tim dhe me titujt që kam fituar. Shkoj si Kampion Europe që do tentojë ta mbajë atë titull. Unë vetëm lus Zotin që në garë të jem me këtë ritëm që kam qenë gjatë kësaj periudhe në stërvitje. Kundërshtari im i vetëm është shtanga. Dikush do të kënaqej nëse do ngjitesha në podium por synimi im i vetëm është medalja e artë, asnjë tjetër”. Qerimaj ka arritur të shpallet një herë kampion i kontinentit tonë duke shkruar historinë e këtij sporti. Nëse ia arrin edhe për herë të dytë, sigurisht që do të ishte një mrekulli. Ai ka besim se mund t’ia dalë dhe prandaj edhe të gjithë ne, duhet të besojmë tek ky kampion.

© shkodrasport.com