Zhurma e krijuar ditët e fundit në komunitetin e peshëngritjes shqiptare, shoqëruar me daljen pozitive të Romela Begajt në testi antidoping, dorëheqjen e presidentit Gjoza e po ashtu edhe reagimin e një pjese të komunitetit të peshëngritjes, ka marrë vëmendjen e duhur edhe në ambjentin sportiv shqiptar. Nuk mund të mungonte natyrisht edhe reagimi i një prej emrave elitë të këtij sporti, Erkand Qerimajt.

Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport”, ai do të shprehej: “Kemi të bëjmë me një situatë rrëmujë në Federatën e Peshëngritjes ku presideti ka dhënë dorëheqjen dhe e kaloi presidencën tek Gudar Beqiraj ndërkohë që pritet zhvillimi i Kampionatit Europian në muajin mars. Kjo është një situatë konfuze dhe unë nuk di të jap një shpjegim ashtu si duhet por di të them se duhet të merren masa për kontrolle më të shpeshta. Përpara Kampionatit Botëror unë i pari dhe disa të tjerë kemi bërë kontroll antidopingu para se të shkojmë në Amerikë. Kemi bërë kontrolle urine dhe gjaku e po kështu edhe para Kampionatit Europian ku unë mora dy medalje.

Por ka sportistë që këtyre kontrolleve të befasishme që bëhen nga Ministria u shmangen me pretekste të ndryshme se gjoja jemi jashtë vendit apo me justifikime të tjera.Mendoj që kjo pjesë duhet shtrënguar më tepër meqë jemi para Europianit të rradhës dhe të moskemi skandale të tjera”. Dorëheqja e presidentit të Federatës Elez Gjoza ka krijuar njëfarë rrëmuje në komunitetin e peshëngritjes por vetë Qerimaj nuk mendon se kjo është zgjidhja e duhur. Për këtë arsye ai shton: “Ka thënë dorëheqjen presidenti Gjoza dhe tashmë është Beqiraj. Po ashtu, po e njëjta kryesi është, nuk ka asnjë ndryshim. Mendoj se ndryshimi do të kishte ardhë nëse sportistët dhe trajnerët do të kishin të drejtë vote në Asamble.

Është e palogjikshme që gjithë sportistët e trajnerët nuk votojnë për të ardhmen e peshëngritjes. Votojnë anëtarët e klubeve me delegim të cilët zgjedhin kë duan dhe pastaj mblidhen sërish pas katër vitesh për zgjedhjet e tjera. Për rrjedhojë, drejtimi i Federatës bëhet nga persona të cilët sportistët dhe trajnerët nuk i pëlqejnë. Nuk e di si do të vijojnë gjërat por e mira është të mbyllet Kampionati Europian dhe më pas të bëhen zgjedhjet”.

© shkodrasport.com