Me fitore e ka mbyllur javën e 15-të edhe Vllaznia U19 e cila ka arritur të triumfojë ndaj Partizanit me rezultatin 2-0 në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani kanë shënuar nga një gol për secilën pjesë loje, fillimisht me anë të Angjelo Radovanit në minutën e 15-të dhe më pas, i zakonshmi Uheid Hoxha ka dyfishuar shifrat në fillimin e pjesës së dytë.

Ndonëse takimi është luajtur në kushte të vështira atmosferike si rrjedhojë e reshjeve të shiut që kanë shoqëruar atë gjatë 90 minutave, futbollistët shkodranë janë dukur të vendosur për ta fituar këtë takim dhe në fund ia kanë dalë me sukses.

Me trepikëshin e sotë, Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 37 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje, vetëm një pikë larg Shkëndisë që kryeson.

Por me siguri që gjërat nga java në javë do të ndryshojnë dhe ekipi shkodran do t’i rikthehet kreut sepse objektivi i tij pas fitimit të Kupës, është edhe titulli kampion i këtij sezoni.
© shkodrasport.com