www.shkodrasport.com
Raffaele Bergamasco: Mikëpritje e rrallë në Shkodër
Janë larguar mëngjesin e sotëm nga Shkodra dhe më pas nga Shqipëria por me premtimin se do kthehen sërish edicionin e ardhshëm të Memorialit të boksit që zhvillohet në qytetin tonë. E kemi fjalën për ekipin italin që u shpall më i miri në edicionin e sivjetëm. E ka thënë këtë gjë në emër të ekipit, trajneri Raffaele Bergamasco që për gazetën online www.shkodrasport.com do të shprehej: “Kemi fituar vendin e parë dhe besoj se e merituam. Të tre sportistët tanë që zunë vendet e para do marrin pjesë në Olimpiadën e Londrës. Për mua personalisht është hera e parë që vij në Shqipëri dhe para se të vija, më ka folur një miku im shqiptar në Itali për këtë qytet. Jam impresionuar nga pritja që na është bërë dhe Shkodra mendoj se është një qytet I rrallë. Ajo çfarë ka rëndësi tjetër është se u ndjemë sikur të ishim në vendin tonë. Publiku na ka mbështetur vazhdimisht dhe kjo më ka impresionuar. Sa I takon nivelit të turneut, unë them se ka qenë një nivel I lartë. Jam impresionuar edhe nga paraqitja e boksierëve shqiptarë të cilët kanë një rritje të madhe nga viti në vit. Kjo ishte hera e parë që kam ardhur në Shkodër por sigurisht që do vij edhe vitin tjetër”.