Ditën e sotme në media ka patur një deklaratë të futbollistit të Vllaznisë Arsaed Rahova i cili akuzonte drejtuesit e Vllaznisë për ndërhyrje në formacion apo dhe probleme të tjera, duke përmendur edhe ndërhyrjet e të fortëve dhe të njerëzve të politikës dhe braktisjen e lojtarëve të Akademisë nga drejtuesit e klubit.

Ndërkohë klubi Vllaznia ka reaguar ditën e sotme në lidhje me këto deklaratat e këtij futbollisti, përmes një komunikate për shtyp ku thuhet: “Në lidhje me shumë insinuata të dala në media dy ditët e fundit sqarojmë se kjo zhurmë e krijuar, bëhet e qëllimshme për t’I prishur punë Vllaznisë.

Sa I takon futbollistit Arsaed Rahova dhe deklaratave të fundit të tij, sqarojmë se që nga momenti I ardhjes së tij tek Akademia Vllaznia, ka ardhur me problematika sepse nuk ka sjellë dokumentacionin e duhur nga KF Shkodra me të cilin është stërvitur tre vite rresht dhe prandaj KF Vllaznia është në gjyq me këtë klub për periudhën e formimit të tij.

Ndërkohë, më 24 janar të këtij viti ka firmosur kontratë me klubin Vllaznia dhe ai e di vetë se si ka firmosur, me gjithë këto problematika. Me kalimin e muajve, lojtari duke qenë I pakënaqur, ka kërkuar të largohet nga Vllaznia. Mbas disa kontakteve që kemi patur me familjarët e tyre, kemi qenë të gatshëm ta japim në huazim por nuk ka ndigjuar.

Ka kërkuar të marrë leje-kalimin pa shlyer asnjë detyrim ndaj KF Vllaznia ndërkohë që kemi qenë të gatshëm ta lëmë të lirë nëse ai do të shlyente detyrimet e formimit ndaj KF Shkodra. Por sërish nuk ka pranuar dhe në këto kushte, del në media dhe hedh baltë mbi klubin Vllaznia duke përmendur fjalë e shprehje të padenja për një futbollist.

Sa I takon ndërhyrjeve të administratorit në formacionin e ekipit U19 për ndeshjet e “Uefa Youth League”, besojmë se nuk është në karakterin dhe personalitetin e tij një veprim I tillë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme sepse stadiumi ka kamera dhe për më tepër këto pretendime bien poshtë sepse ky lojtar por edhe Smajli kanë qenë titullar në formacion në atë ndeshje.

Bëjmë me dije se që nga dita e sotme futbollisti Arsaed Rahova është I lirë të largohet duke paguar detyrimet që ka për periudhën e formimit tek KF Vllaznia. Ne nuk jemi bërë asnjëherë pengesë për karrierën e asnjë futbollisti dhe shpresojmë që Rahova me shokë të flasin më shumë në fushë sesa në media.

Klubi dhe instancat e tij përveç projekteve të tjera, e kanë vëmendjen tek Akademia dhe këtë e tregon se disa nga elementët më të spikatur të ekipit U19 janë nën kontratë dhe këtu bëhet për Lekajn, Shimajn dhe Repajn”.