Pavarësisht se ka plot dy javë që nuk janë më në krye të skuadrës shkodrane, Baldo Raineri, Daniele Nervi dhe Sabino Oliva vazhdojnë të jenë në Shkodër. kuptohet që me përjashtim të të parit, ato nuk qëndrojnë me dëshirë në këtë qytet. Por po presin likujdimin financiar të tyre nga ana e klubit siç kanë rënë dakord në momentin e ndërprerjes së kontratës dhe më pas do largohen. Raineri ndërkohë ka qëndruar për të njëjtën arsye por edhe sepse më datë 23 të këtij muaji i duhet të jetë sërish në Tiranë për të vazhduar kursin për marrjen e liçensës UEFA PRO. Në fakt, kalimi i parave në arkën e klubit Vllaznia ka zgjatur disi tepër. Prefekti Radovani e ka firmosur buxhetin e Bashkisë Shkodër për vitin 2015, në të cilin kanë qenë parashikuar edhe 230 milionë lekët për klubin e futbollit. Tashmë ka mbetur vetëm procedura e kalimit të kësaj shume nga numri i llogarisë së Bashkisë, në degën e Thesarit dhe më pas në numrin e llogarisë së klubit Vllaznia. Kjo gjë pritet të ndodhë brenda këtyre dy ditëve dhe menjëherë sapo ato të kalojnë, do të likujdohen jo vetëm stafi italian por edhe futbollistët për dy rrogat e prapambetura.

© shkodrasport.com