
Në pamje të parë është dukur nervoz për humbjen por në fund sigurisht që i ka bërë thirrje vetes për të kuptuar se Vllaznia këto probleme kishte dhe ky është realiteti i saj. Në konferencën e shtypit të pas ndeshjes, Baldo Raineri ka folur edhe për të ardhmen e tij nëse do të vazhdojë të drejtojë këtë skuadër apo jo. “Nëse do ta kishim barazuar këtë ndeshje, mendoj se askush nuk do thoshte se ne vodhëm gjë megjithatë ishte një ndeshje ku shfaqëm probleme. Sidomos në manovrën sulmuese ku lojtarët tanë kur janë 30 metra larg portës së kundërshtarit, nuk dinë të bëjnë siç duhet detyrën e tyre. Duke patur dëshirë për të shënuar, sigurisht që do të krijosh probleme edhe në mbrojtje por ky është realiteti. Të mos harrojmë se mes Vllaznisë dhe Partizanit ka diferenca të mëdha në buxhet dhe kjo u duk edhe në fushën e lojës. Gjithsesi duhet të shohim përpara. Sa i takon të ardhmes time, unë në fakt jam i qetë. Sigurisht që situata nuk është e mirë kur humbet dhe këto janë ligjet e futbollit por duhet ta dinë se unë nuk kam ardhur këtu as për ta çuar Vllazninë në Kupat e Europës dhe as për ta shpallur kampion. Kam marrë një skuadër nga zero dhe jam munduar të bëj më të mirën megjithatë e ardhmja ime është nuk është në duart e mia por të drejtuesve të klubit. Ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Sa i takon disa futbollistëve të huaj që nuk po japin maksimumin, unë nuk do t’i ndaja kështu sepse vërtetë ata nuk po japin më të mirën e tyre por edhe lojtarët shkodranë nuk janë aty ku duhet. Të ardhmen e shoh pozitive, nuk jam nga ato trajnerë që dorëzohem kollaj. Kur të ndeshemi me skuadrat që ndodhen poshtë nesh në renditje, duhet të tregojmë veten. Duhet të mundohemi të rrimë të qetë dhe të na lënë të qetë të punojmë”- ka thënë trajneri i Vllaznisë.
© shkodrasport.com