Trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri nuk është shqetësuar shumë për rezultatin e barabartë që u fiksua në fund të miqësores së luajtur pasditen e së enjtes ndaj Veleçikut. Duke folur para gazetarëve në fundin e takimit, ai ka thënë: “Në këtë miqësore më ka interesuar që të shikoj lojën e ekipit dhe jo rezultatin. Jam i kënaqur me lojtarët e ardhur dhe paraqitjen e tyre. Kanë pak kohë, por besoj se deri ditën e enjte do të jenë më mirë. Ndaj Tiranës do të shikoni, ashtu siç edhe kam premtuar, një tjetër skuadër. Fitorja në Durrës ka pasur ndikimin e vet, pasi ka qenë për të gjithë ne dhe për klubin. Nuk po justifikohemi para publikut, por kërkoj që tifozët të mos e fusin skuadrën nën presion. Natyrisht që më pëlqen siç edhe e kam thënë edhe vendi i gjashtë. Por, për ne, e rëndësishme është në radhë të parë që të mos rrezikojmë”, është shprehur trajneri kuqeblu. Ai është i qetë në punën e tij. Pavarësisht vështirësive të fillimit, tashmë ai duket më i qetë. Skuadra është plotësuar me lojtarët e duhur dhe tashmë pritet vetëm marrja e rezultateve të duhura në mënyrë që ai dhe Vllaznia të shohin përpara.
www.shkodrasport.com