Shumë dyshime dhe dilema për trajnerin e Vllaznisë, italianin me shtetësi zviceriane Baldo Raineri. Rezultatet e fundit në krye të kësaj skuadre kanë qenë negative dhe siç ndodh rëndom në futbollin shqiptar, aludohet për shkarkim apo dorëheqje të trajnerit. E njëjta gjë pritej edhe për trajnerin aktual të kuqebluve i cili është sjellë në Shkodër nga kompania “Gea Sport” por meqë ajo u largua, logjikisht duhej të kishte zgjedhur këtë rrugë edhe trajneri. Të gjithë mendojnë se Raineri qëndron ende tek Vllaznia sepse dëshiron të marrë paratë që ka të shkruara në kontratë. Vetë nuk jep dorëheqjen por dëshiron ndoshta që ta heqin në mënyrë që ta hedhë më pas në gjyq klubin shkodran dhe të marrë këto paratë.


Por, dje, për herë të parë, tekniku 52 vjeçar ka zbuluar qëllimin e vërtetë pse vazhdon të jetë në Shkodër dhe njëkohësisht ka zbardhur edhe një nga pikat kyçe të kontratës që ai të firmosur me Vllazninë. “Shumëkush më pyet pse nuk jap dorëheqjen. Në fakt çuditem pse duhet të japë dorëheqjen. Vërtetë skuadra nuk ka funksionuar në tre takimet e fundit por unë kam besim tek ajo. Kam bindjen e plotë se sëbashku mund t’ia dalim për të arritur objektivat që kemi. Nuk jam duke qëndruar në Shkodër për të marrë paratë që kam të firmosura në kontratë. S’kam ardhur për lekë këtu. Madje, po bëj publik edhe një pikë të kontratës që kam firmosur me drejtuesit aktualë të klubit Vllaznia. Aty është e shkruar se pavarësisht rezultateve që arrin skuadra, nëse drejtuesit e klubit vendosin të më largojnë, unë nuk do të kërkoj asnjë dëmshpërblim prej tij. Atë do ta kërkoj prej atij zotërisë që më solli këtu, Roberto Navës sepse edhe me të kam firmosur një kontratë personale. Kur të kthehem në vendin tim, njëkohësisht edhe të tijin, do jenë avokatët e mi që do ta ndjekin këtë çështje. Ky fakt besoj se zbardh të gjithë të vërtetë e kontratës time dhe për të kuptuar të gjithë se jam ende tek Vllaznia jo për paratë por për projektin tim. Jam dashuruar tashmë me këtë skuadër, me këtë qytet, me këta njerëz dhe nëse drejtuesit e klubit nesër më propozojnë firmosjen e një kontrate të re pesëvjeçare, jam i gatshëm ta firmos. Madje të bardhë, pa patur asnjë shifër financiare në të”- ka thënë Raineri.
Kompania “Gea Sport”, një bllof i vërtetë
Vetë Baldo Raineri ka ardhur në Shkodër prej kësaj kompanie por në fakt, e ka kuptuar shpejt se projekti i tyre tek Vllaznia do ishte një “bllof”.  Ka qenë dita e parë që ka mbërritur në Shqipëri dhe atij i janë dashur vetëm 20 minuta për të kuptuar se kush ishte dyshja Nava- Grabova. “Unë kisha biseduar që në muajin mars me z. Nava rreth këtij projekti dhe gjatë asaj periudhe studiova shumë gjëra për Vllazninë dhe për Shkodrën. U dashurova me to pa ardhur ende. Kur mbërrita në Rinas ditën e parë, takova një zotëri me një borsetë të vogël nën dorë (bëhet fjalë për ish- administatorin Grabova) dhe më mjaftuan vetëm 20 minuta bisedë me to, për të kuptuar se kisha ardhur në vendin e duhur por me njerëzit e gabuar. Por nuk mund të kthehesha më prapa sepse nuk jam mësuar të tërhiqem para vështirësive të ndryshme. Prandaj të punoj për disa kohë, nën një presion të madh të këtyre njerëzve, madje në një moment kur raportet me Vllazninë filluan të kriseshin, më thanë të shkojë në Gjirokastër si trajner por nuk pranova. Doja me çdo kusht të qëndroja tek Vllaznia sepse ky ishte basti im. Për të fituar këtë skuadër, për të fituar këtë qytet. Aq më tepër që aty gjeta ngrohtësinë e z. Isufi që më është gjendur pranë dhe më ka ndihmuar shumë, të kryebashkiakut Luka e të personave të tjerë shumë dashamirës. Krisja ime përfundimtare me dyshen Nava- Grabova ka qenë në një moment kur ata më bën të ditur planin e tyre se çfarë dëshironin të bënin me këtë skuadër por unë nuk isha për ato gjëra. Këtu mori fund bashkëjetesa ime me to dhe u pa qartë se edhe Bashkia nuk do ta kishte të gjatë kontratën e bashkëpunimit me këtë kompani”- ka thënë trajneri me origjinë nga Siçilia.
Lojtarët e huaj
Trajneri i Vllaznisë ka folur shkurt edhe për 8 lojtarët e huaj që janë në skuadër aktualisht duke i dalë në njëfarë mënyre në mbrojtje atyre, ndonëse nuk ka qenë ai që i ka sjellë në Shkodër. “Vërtetë janë 8 lojtarë të huaj në skuadër por vetëm Shala ka luajtur më parë në Shqipëri. Ndoshta ende nuk janë përshtatur megjithatë mendoj se do na shërbejnë për të ardhmen. Vërtetë është një numër i madh por pagesat e tyre nuk janë të mëdha. I kanë sjellë drejtuesit që kanë qenë sepse dëshironin që të kishin sa më shumë të huaj ngaqë sipas tyre mentaliteti i tifozëve të Shkodrës është për të patur lojtarë të huaj. Më duket një mentalitet i gabuar por megjithatë s’duhet të merremi më me këtë çështje. Ata janë ende pjesë e skuadrës dhe duhet të marrim më të mirën prej tyre”- është shprehur Raineri.
Ndeshja me Kukësin
Sot kuqeblutë do luajnë në Kukës me skuadrën vendase dhe trajneri i tyre e ka të qartë se do jetë e vështirë për të marrë pikë. Kjo nuk do të thotë se ai heq dorë nga pretendimi i tij por kërkon të jetë realist. “Nuk shkojmë për të humbur në Kukës, por për të kërkuar fitoren me aq mundësi dhe forca sa kemi. Jemi realistë se kampionati ynë nuk është të matem me këtë apo disa skuadra të tjera të kreut, por me ato që janë poshtë nesh në renditje. Pavarësisht kësaj, do tentojmë marrjen e pikëve edhe në Kukës dhe mundësitë i kemi prandaj dhe unë jam këtu. Nuk e kemi frikë Kukësin, por e respektojmë për renditje që ka, për futbollistët që ka në dispozicion, investimin e bërë dhe shumë gjëra të tjera gjithsesi ne do mundohemi të bëjmë punën tonë për të kërkuar pikë”- thotë në fund të prononcimit të tij trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri.
Gjergj Kola