Mbrojtësi i Vllaznisë, Blazho Rajoviç, me shumë gjasa, do t’i japë fund sezonit. Ai mendohej të ishte një nga pikat më të forta të kuqebluve në këtë sezon, por ka qenë i pafat. Malazezi i defensivës shkodrane pësoi një dëmtim në gju në takimin ndaj Skënderbeut, që pas verifikimit rezultoi të ishte tepër shqetësues. Pak ditë më parë Rajoviç ka qenë në Tiranë për të zhvilluar një seancë rezonancash, të cilat kanë nxjerrë më mirë në pah problemin që ka pasur. Kësisoj, nga sa mësohet edhe prej fizioterapistit shkodran Ilirian Haxhaja, pritet që këto ditë lojtari t’i nënshtrohet operacionit në gju.
Nëse mjekët nga ana tyre japin një garanci të plotë sa i përket kalimit me sukses të operacionit, sipas Haxhajës, mbrojtësit do t’i duhen minimalisht 6 muaj që të jetë sërish në fushën e lojës. Nisur nga kjo, malazezi me shumë sforco mund të jetë i gatshëm për teknikun Agim Canaj vetëm nga mesi i muajit prill, që do të thotë një përfundim i sezonit për Rajoviçin. Kështu, tani drejtuesit e klubit kuqeblu do t’u duhet të bëjnë çdo hesap pa mbrojtësin. Një nga tre afrimet e shkodranëve në këtë merkato, duket se nuk do të jetë më i vlefshëm për këtë skuadër. Nisur nga kjo, tekniku Canaj do të shikojë që të paktën deri në merkaton e janarit të gjejë zëvendësuesin e tij brenda kontingjentit që ka në dispozicion.
Alternativat Pavarësisht nëse do të jenë në gjendje për ta zëvendësuar në më të mirën e tyre malazezin e qendrës së mbrojtjes, alternativat në dispozicion të Canajt për një vend të tillë nuk mungojnë. Klodian Semina është një nga lojtarët që është provuar edhe në dy takimet e fundit në vend të Rajoviçit, por mesa duket tekniku nuk është plotësisht i bindur. Vetë deklarimet e tij për ndryshime në këtë repart të bëjnë të mendosh se Canaj do të shikojë alternativat e tjera. Elvis Kraja e Ervin Rexha janë dy lojtarë shtatlartë, të cilët kanë luajtur në këtë pozicion. Mirëpo, nuk duket se qëndrojnë shumë larg tyre për të qenë si alternativa të mundshme edhe dy lojtarët e eksperiencës, kapiteni Beqiri dhe zëvendëskapiteni Belisha. Që të dy lojtarë që kanë dhënë mjaft rendiment në qendër të repartit të mbrojtjes. Mesa duket, tekniku Canaj do të shikojë mes këtyre emrave edhe alternativën e duhur për të përballur të paktën këtë pjesë të sezonit në repartin e mbrojtjes.
ADMIR URUÇI