Klubet e Superiores vendosën të bojkotojnë nisjen e kampionatit derisa qeveria të marrë parasysh kërkesat e tyre. Një masë ekstreme kjo, por sipas drejtorit të Partizanit, Olsi Rama është e duhura.
Në Euronewës, në “Ilva Now”, Rama theksoi se duhen aplikuar lehtësira fiskale, e cila ka dhënë shumë efekt në Kosovë. Ndër të tjera, Rama shprehet se nuk është dakord me kërkesën e faljes së gjobave pasi Partizani ka paguar në mënyrë të rregullt tatimet.
“Është e vërtetë që bojkoti është sigurisht një masë ekstreme them unë në këtë moment, por deri sa klubet e panë të nevojshëm ta bënin këtë, që të dëgjoheshin dhe që kishte një unanimitet në vendimmarrje, them që ka qenë masa e duhur”.
Lehtësirat fiskale- “Mund të jap shembullin e Kosovës, që është një vend që ka aplikuar një ligj favorizues për zhvillimin e sportin. Po shohim që dita ditës klubet kosovare po konkurrojnë me superligën shqiptare, duke tërhequr edhe futbollistë cilësorë. Paketa e ndihmës, ose paketa e favorizimeve fiskale ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e futbollit në Kosovës.
Komuniteti i sportit ka bërë kërkesa, sepse është ndjerë një nevojë për një hap cilësor të sportit, dhe legjislacioni aktual nuk është favorizues sidomos për bizneset që duan të investojnë në sport. Për arsye, sepse deri tani sporti nuk është një produkt aq i shitshëm. Per ta bërë këtë, duhet që bizneset të ndihmohen me favorizime fiskale. Duhet patjetër ndihmesa fiskale.
Me e rëndësishme nga të gjitha është pjesa e ligjit të sponsorizimit, që bizneset të hyjnë në futboll dhe të rrisin investimet. Të gjitha janë të rëndësishme. Unë personalisht nuk jam dakord për faljen e gjobave, sepse Partizani ka qenë një klub shembull dhe ne kemi paguar në mënyrë të rregullt të gjitha tatimet”.
Arsyeja që i shtyn klubet shqiptare drejt trukimeve- “Duhet parë tek vetja dhe nuk identifikohem me ato probleme. Është e vërtetë që po flitet shumë për shitje apo blerjen e ndeshjeve, por Partizani nuk qenë asnjëherë aktor apo faktor në këtë. Kanë munguar mundësitë, që ata që financojnë futbollin, nuk kanë pasur mundësi që ta financojnë në mënyrën e duhur. Qëllimi asnjëherë nuk e justifikon mjetin, por nganjëherë nevoja i bën njerëzit të bëjnë gjëra të dëshpëruara”, u shpreh Rama. /VipSport/