Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë në bashkëpunim me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, kanë qenë të pranishëm në shkatërrimin e ish-kompleksit “Dinamo”, i cili nga sot e tutje do të quhet “Parku Olimpik”. Nisi me ndërtimin e pallatit të sportit dhe do të vijojë me pjesën e dytë, të ndërtimit të selisë së re të FSHF-së dhe ambienteve të tjera të sportit. Sipas projektit, do të ndërtohet një mini-stadium dhe disa fusha. Ndërsa veç zyrave, do të ketë ambiente stërvitore për ekipet kombëtare, të cilat në të ardhmen do të kenë ambientin e tyre.
Pjesën më të madhe të ambientit do ta zërë stadiumi që do të ndërtohet brenda harkut kohor të 18 muajve. Por, në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama foli dhe për arritjet, ndryshimet e sportit, por nuk harroi zgjedhjet. Ai kërkoi të mos e përlyejnë me këtë situatë, teksa foli vetëm për zhvillimin e sportit, ku tregoi se ndaj kampionëve të vendit në sport e të ndryshme shteti ynë është borxhli.
“Shpresoj që të jetë shiu ogur i mirë”, tha në fjalën hapëse Edi Rama. “Duhet të realizojmë projektin e FSHF-së edhe pse mund të akuzohemi se po futemi në mes të një procesi zgjedhor që po zhvillohet. S’ka gjë, deri dje isha i akuzuar se dua të marr FSHF-në, sot do të akuzohem se dua ta mbaj. Unë nuk kam lidhje me këtë proces. Jam këtu për një projekt të ri që është pjesë e një programi”.
“Këtu bëhet fjalë për të ndërtuar një shtëpi të futbollit kombëtar dhe të kombëtares. Dhe, në modesti një mikro-Coverciano si në Itali. Aty do të zhvillohet edukimi i trajnerëve dhe brezave të rinj. Kjo shtëpi e re e futbollist është pjese integrale e projektit të Parkut Olimpik”.
“Më vjen keq si ish-sportist i Dinamos dhe për të gjitha ata bashkëudhëtarë e vuajtës, sepse kemi kaluar një pjesë të jetës tonë në godinën që do të shembet në ditët në vijim. Kam marrë shumë mesazhe, si ka mundësi që do të zhduket kjo godinë. Në fakt, ka pushuar së qeni një goditën e Dinamos prej shumë vitesh.
Godina që kemi u kthye në kafazin e shumësportësisht. Ne ndërtuam godinën e re më tutje. Tani këtu mungon vetëm federata e federatave, që është ajo e futbollit”. “Ajo do të jetë simbol i rilindjes së futbollit dhe qytetit. Ky investim plotëson fazën e dytë të Parkut Olimpik. Dhe, do të përfundojë me fazën e tretë, pishinën e mbyllur. Pa mbështetjen e qeverisë nuk mund të zhvillohet sporti. Është e pamundur. Ne e kemi pasur prioritet mbështetjen e sportit, kemi bërë jo pak. Rezultatet dhe shifrat flasin, do të bëjmë më shumë akoma”.
Ky është vetëm fillimi dhe jo fundi i një procesi për rikonstruksionin e mjediseve sportive. Do krijojmë klasat sportive në shkolla. Përgëzime dhe mbarësi për komunitetin. Ekipi Kombëtar meriton që të ketë shtëpinë e vet, pasi kemi shumë borxhe ndaj arritjeve të tyre. Besoj se me këtë mjedis do jemi paksa të çliruar. Edhe ju lutem, mos më ngatërroni mua me zgjedhjet e FSHF-së”, përfundoi Rama. /EDS/