Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, ka treguar mbreme për “Zona Gol” se klubi kishte hedhur hapat e parë drejt një afrimi cilësor në merkaton e janarit.“Është Dilaver Duka, një lojtar me tipare sulmuese, nuk është sulmues i mirëfilltë, e kemi diskutuar në mënyrë miqësore se sa mund të japë për klubin. Ai është djalë shqiptar, ka pranuar ftesën tonë të provohet me pak fjalë. Nëse do të tregojë vlerat, do të jetë pjesë e Partizanit.
Sa i përket aspektit futbollsitik, ka shumë vlera dhe ka qenë i suksesshëm në MLS dhe ta shohim. Ka pasur disa probleme dëmtimi vitin e kaluar, të shohim gjendjen e tij. Ka edhe të tjerë, merkato e janarit është më e vështira, por duhet guxim në zgjedhjen e elementëve”, tha Rama.
Për ofertat për lojtarët e Partizanit
“Shpesh në stadium kemi pasur skaut të huaj që kanë ardhur të ndjekin lojtarët tanë. Kam pasur kontaktet e mai me ta, nuk ka gjë konkrete, por ka interes që mund të realizohet diçka, që në janar por më tepër në qershor. A jemi gati të shiten? Po, një ekip forcohet në këtë mënyrë, janë të ardhura që nuk do ët futen në xhep por do të investohet përsëri në klub. Kjo është arsyeja pse kemi besuar te të rinj, që të krijonim kulturën e talenteve duke i lançuar në Europë”.
Për mungesën e alternativave
“Kemi pasur mungesën e Ibrahimit, por Mala është përshtatur mirë në atë rol. Zgjedhja e Trashit si mbrojtës i majtë është për aftësitë e tij. Kemi nevojë për ndonjë alternativë tjetër dhe Bardhi është adaptuar në atë rol dhe e ka kryer me sukses se ka qenë gjithmonë një lojtar që ka qenë shumë problematik për mbrojtësit se vrapon në mënyrë të jashtëzakonshme e nuk ndalet kurrë. Pyetni qendërmbrojtësit se si dalin pas një ndeshje me Partizanin nuk është sulmues i parë, por e kompenson me teknikë”.
Për kontratën e re të Gegës
“Kur ka bërë prezantimin, i kam bërë urim që të jetë afatgjatë te Partizani. Unë besoj te ciklet që trajnerit i duhet dhënë kohë që të shprehë filozofinë e vet të lojës. Kur ka ardhur te Partizani, biseda ka qenë shumë e hapur në raport me atë që donim të shihnim në ekip, parimet bazë të një skuadre, të gjitha gjërat që kemi bërë mirë këtë periudhë, jemi të kënaqur.
I kemi dhënë Gegës një shans të madh, kemi marrë ne riskun që t’i jepnim stolin e Partizanit një trajneri që kishte eksperiencë në Amerikë, në kombëtare, por jo në klub, që është metodologji pune tjetër. Ekipi është rritur, edhe Gega me ekipin, pritshmëritë tona janë gjithmonë e më të mëdha. Nuk e diskutoj punën e rinovimit me Gegën, është e pavend në këtë moment, jemi në vend të parë, vazhdojmë punën.
Ai është te Partizani për një kohë të gjatë. Sa për dijeni, kontratën e ka për 6 muaj. Rëndësi ka që as që ekziston kjo pyetje, Gega ka një biletë Nju Jork-Antalia për 4 janar, në datën 5 është në drejtimin e ekipit. Mund të firmosi në letër të bardhë në çdo moment, kjo është ideja”.
Për merkaton e klubit në të ardhmen
“Ekipi që po ndërtoj po vizionon lojtarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kam edhe bashkëpunëtorë në kampionate të huaja. Kemi parë lojtarë të ndryshëm të rinj, në shumë pozicione, merkato e janarit është ku të del mundësia”.
Për kompleksin e ti të Partizanit
“Jemi në vend të parë, kjo impianti është që të na bëjë të rrimë për një kohë të gjatë në vend të parë. Do të gjejmë mundësitë që të gjejmë investimin për të bërë kompleksin, me forcat tona si një herë e një kohë . Plani ishte që kompleksi të mbarohej shpejt, për fat të keq nuk u arrit dhe jemi mysafir te Tirana, shpresojmë ta mbyllim shpejt”.
Për situatën dhe kontestimet e gjyqtarëve
“Ajo që mundohem t’u them djemve është që të shohim shtëpinë tonë, nëse gabojmë në shtëpinë tonë. Niveli i Kategorisë Superiore është nivel i kënaqshëm, gjithashtu edhe niveli i arbitrimit ka pasur tendencë në rritje. Por kam vënë re që gjyqtarët, ndoshta edhe të rinj, e humbasin fillim e gjykimit korrekt të ndeshjes.
Nuk them që e bëjnë me qëllim, por në rastet që vë re që ka tendencë, e them hapur dhe nuk e kam problem. Nuk vë gishtin te faktorët e administrimit të garës se nuk gjykoj se ka një tendencë të tillë, por nuk lejoj në asnjë moment që arbitrat të jenë protagonistë kryesorë kur ekipi im derdh djersën dhe mund çdo ditë në fushë. Gjyqtari më i mirë është ai që nuk dallohet në fushë. Këtu te ne bëhen protagonistë, është defekt i trashëguar. Kur gjyqtarët ta kuptojnë që do të jenë më të mirë kur nuk dallohen, do të themi që kemi arritje të madhe.
Një nga faktorët që nuk shitet produkti i Superiores, nuk ka njerëz në stadium, është fakti i dyshimit të paracaktimit të ndeshjeve. Sa të jem në këtë fushë, sa i përket Partizanit, i siguroj të gjithë që nuk ekziston ky koncept, por do të luftoj këdo që do të mundohet të bëjë këtë gjë, se do të mbroj deri në fund interesat e ekipit, presidentit, lojtarëve.
Nëse më pyetni për ndeshjen e sotme, mund të them që në pjesën e parë ishte korrekte, në të dytën ishte një gjykim që jo vetëm nuk favorizoi, por dëmtoi Partizanin. Jo vetëm goli, por kontakti, ku faullet ishin evident, faullet nuk sinjalizohen. Nuk e di nëse ndërhyrja ndaj Albanit ishte për karton apo jo. Ne si Partizan nuk duam të na favorizojnë, por as të na hahet haku. E dimë që do të penalizohemi e favorizohemi, është balancë dhe dihet ajo se nuk ekziston perfeksion. Për sa kohë që bëj merkato në janar, as unë nuk kam ekip perfekt”. /vipsport/