Emran Ramadani iu bashkua Partizanit në merkaton e janarit, por nuk gjeti hapësirë.
Ai luajti vetëm 126 minuta në 6 ndeshje, në të gjitha si zëvendësues dhe shënoi një gol.
Dje ka marrë fund aventura e tij me të kuqtë, gjë e cila u konfirmua nga lojtari dhe Partizani. “Klubi njofton përfundimin e bashkëpunimit me Emran Ramadanin.
Palët vendosën sot (dje) të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes tyre dhe mesfushori 26-vjeçar nuk do të vijojë të jetë pjesë e 15 herë kampionëve të vendit.
Klubi falënderon Emran Ramadanin për kontributin e dhënë te Partizani, duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierë”.
Ky ishte njoftimi i bërë dje nga klubi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, lojtari tetovar tregon edhe arsyen që e detyruan të largohej.
Ramadani fajin ua vë të tre trajnerëve që ka punuar gjatë kësaj periudhe, Starova, Dalipi dhe Gega, të cilët i quan intrigantë dhe atë që mendonin nuk ua thoshin në sy, por merreshin me thashetheme.
AKUZA PËR TRAJNERËT– “Tashmë është zyrtare që unë nuk do të jem më pjesë e Partizanit.
Më vjen keq që gjërat rrodhën në këtë mënyrë, pasi respekti im mbetet maksimal për klubin dhe drejtuesit.
Por, shkak për këtë largim janë trajnerët, me të cilët kam punuar gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga Starova, Dalipi dhe së fundmi, Gega.
Me aq sa kam përjetuar gjatë kësaj periudhe, të tre trajnerët vepronin njëlloj, pasi ishin intrigantë në punën e tyre dhe merreshin më shumë me thashetheme.
Unë u largova me të njëjtin motiv, siç është vepruar edhe me të tjerët: “Nuk je në planet e trajnerit”.
Më vjen keq se si u veprua, pasi trajnerët nuk na e thonë në sy mendimin e tyre, por e marrim vesh nga të tjerët.
Unë nuk pata mundësi të tregoj veten, pasi si Starova, por edhe Dalipi nuk më dhanë mundësinë të luaj sa duhet.
Ata i mbetën besnik vetëm një formacioni, edhe kur ekipi pësonte disa humbje radhazi.
Trajnerët ndryshuan, por mentaliteti mbeti i njëjtë, ndaj ishte më mirë që të largohesha dhe të vijoj karrierën diku tjetër, pasi edhe me Gegën do të ishte e njëjta histori me mua”, u shpreh Emran Ramadani për “Panorama Sport”.
E ARDHMJA- “Duke ditur se me Partizanin e mbylla sot (dje) nuk kam asnjë destinacion të qartë për momentin se ku do të luaj sezonin tjetër.
Gjasat më të mëdha për të vijuar karrierën janë në Maqedoni dhe në Zvicër, pasi edhe atje kam pasur disa kontakte.
Me qetësi do të studioj situatën dhe më pas do të vendos më të mirën dhe të leverdishmen për karrierën time”, vijoi 26-vjeçari nga Tetova.
MIQTË- I pyetur rreth miqve dhe shokëve që zuri te Partizani dhe kush do t’i mungojë më shumë, Emran Ramadani për “Panorama Sport” u shpreh:
“Lorenc Trashi, për mua, është më i miri te Partizani, jo vetëm si lojtar, por edhe si shok. Përveç tij do të më mungojë edhe Jurgen Bardhi, i cili ishte një shok i mirë për mua”.