Sfida e kësaj fundjave mes Vllaznisë dhe Luftëtarit do të jetë shumë më e veçantë për Behar Ramadanin. Mesfushori shkodran ka qenë një ndër liderët e Luftëtarit për disa sezone radhazi, para se të kthehej te ekipi i vendlindjes, ndaj nuk e harrin lehtë atë eksperiencë që ka përjetuar në Gjirokastër.

“Për mua është një ndeshje e veçante më shumë se ndeshjet e tjera se është ish-ekipi im ku kam luajtur për disa vite. Është një lloj emocioni, diçka me ndryshe se ndeshjet e tjera, por ku do të kërkojmë të arrijmë objektivin tonë”, tha Ramadani për RTSH.

Por nostalgjia kalon në plan të dytë në këtë moment, kur Vllaznisë i duhet medoemos që të kthehet sa më shpejt te fitoret. “Pas çdo humbje asnjëherë nuk është mirë, sidomos kur janë dy humbje radhazi, ajo ndeshje me Tiranën që Shkodra me zor e pret, edhe kjo e Durrësit gjithashtu. Gjithçka që na mbetet në dorë është të marrim përsipër të zgjidhim situatën. Kemi dy ndeshje brenda dhe do të mundohemi që të afrohemi përsëri me ekipet që kemi sipër”, theksoi ai.

Vllaznia është tronditur këtë javë nga ngjarja me administratorin Suad Lici dhe Ramadani pranon se gjëra të tilla as që mendohej se mund të ndodhnin përsëri. Por ai nuk e sheh si justifikim për paraqitjen që bëri skuadra në Durrës.

“Këto gjëra nuk duhet të ndodhin,nuk duhet të diskutohen hiç. Janë gjëra që nuk i shkojnë për shtat Shkodrës që është djepi i futbollit. Atë ditë sa ishim zgjuar kur morëm vesh lajmin, e ndjemë e nuk na erdhi aspak mirë, Por nuk ishte kjo arsyeja që ne humbëm ndeshjen”, theksoi Ramadani. /vipsport/