Behar Ramadani po e hedh pas krahëve atë dëmtim që e la për muaj të tërë jashtë fushave. U bë më shumë se prej shtatorit që po stërvitet me grupin dhe shtyrja e kampionatit i ka dhënë kohë të kapë formën më të mirë.
Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” mesfushori tregon si e ka përjetuar kohën e rikuperimit, por nuk ngurron që të flasë për ekipin e riformatuar nga e para, objektivat dhe risitë që ka sjellë Tomas Brdariç në Shkodër. Ai e thotë hapur që Vllaznia këtë vit do të ketë pretendime të mëdha.
Keni më shumë se një muaj që i jeni bashkuar grupit, si është gjendja e Ramadanit tani?
Në sezonin që shkoi pësova një dëmtim të rëndë, i cili më la për shumë kohë jashtë fushave. Ishte periudhë e vështirë, por tani ndihem mirë. Drama kaloi. Kam më shumë se një muaj që po stërvitem me ngarkesë të plotë dhe po mundohem të kap formën optimale.
Kampionati është në bojkot, çfarë ndikimi ka te Vllaznia kjo shtyrje?
Për mua ka ndikuar pozitivisht, sepse më dha kohë që të përgatitem, por për ekipin dhe kampionatin mendoj se është negative. Shpresoj që të gjendet një zgjidhje dhe t’i kthehemi normalitetit.
Si ju duket ky ekip, krahasuar me atë të një sezoni më parë?
Mendoj se kemi një grup shumë të mirë djemsh e futbollistësh dhe kam shumë besim se do të bëjmë një kampionat pozitiv. Edhe vitin që shkoi ishim konkurrues, por pandemia ndikoi shumë keq dhe të gjithë e pamë si u transformuam.
Vllaznia është formatuar thuajse nga fillimi, pozitive apo negative?
Mendoj se ekipi ka humbur disa elementë të rëndësishëm nga sezoni i kaluar, të cilët mund të kontribuonin ende, por drejtuesit janë munduar të afrojnë lojtarë të rinj për të zëvendësuar të larguarit. Kanë marrë elementë që rritin konkurrencën brenda skuadrës dhe kjo është shumë e rëndësishme. Gjithsesi, koha do të e tregojë nëse është pozitive apo jo.
Është e gatshme kjo Vllazni për të hyrë me pretendime të mëdha këtë sezon?
Edhe vjet ne kishim objektiva të tjerë dhe po shkonim mirë, por siç e thashë, pandemia bëri të vetën. Vetë emri i Vllaznisë të imponon që të pretendosh fitore në çdo ndeshje e të kesh objektiva të mëdhenj. Besoj se ky vit do të jetë ndryshe.
Dhe çfarë objektivi ju kanë vënë drejtuesit?
Për objektiva konkretë nuk mund të flasim pa filluar akoma sezoni, por jam i sigurt që do të jemi ekip shumë konkurrues.
Cila është e reja që ka sjellë trajneri Tomas Brdariç në ekip?
Ka sjellë tjetër frymë në ekip, me ide të reja dhe stil loje tjetër. Kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë dhe ekipi e ka përfituar më së miri filozofinë e tij. Është trajner që nuk ia lë asgjë rastësisë dhe punon me ne deri te detajet më të vogla.