Të shtunën ka vendosur ta braktisë stadiumin “Loro Boriçi” pikërisht atëherë kur rezultati ishte 2-2. Nuk I ka parë skenat e fundit megjithatë Ramazan Rragami ndjehet shumë I dëshpëruar për ato çfarë ndodhën në takimin Vllaznia- Shkumbini. Në një prononcim të tij për Televizionin Rozafa në “Sport Arena” ai do fliste ashpër në lidhje me këtë ndeshje. “Jam larguar nga stadiumi disa minuta para fundit sepse e kuptova se çfarë po ndodhte. Madje mund të them se isha I fundit që e kuptova sepse para meje, ishin larguar nga stadiumi edhe disa ish-futbollistë të tjerë të Vllaznisë. Nuk është e mira të ndodhin gjëra të tilla. “Marr në mbrojte Shabën dhe Grimën, ndoshta dy njerëzit më të përfolur për këtë gjë, sepse di mirë se ata nuk kanë gisht në atë çfarë ndodhi. Ata mund të kenë marrë urdhër. Po thuhet se ka ndërhyrë politika. Nuk është e mira të ndodhë kështu.
Politika duhet të qëndrojë larg futbollit e këtë nuk e kam vetëm për Shkodrën sepse kështu po ndodh rëndom në të gjithë Shqipërinë”-ka thënë Rragami. Si ish-futbollit, si trajner dhe drejtues klubi, ai ka rreth 60 vite ndoshta që kontribuon për këtë lojë magjike. Ka bërë për vete shumë sportdashës që jo më kot, ende edhe sot e vlerësojnë. E dëgjojnë fjalën e tij. E për këtë, këtij mjeshtri I vjen keq që tifozët shkodranë janë larguar nga stadium. E për këtë ai ka një apel për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës kur thotë: “Tifozët po braktisin përditë e më tepër stadiumin sepse kur ndodhin ndeshje të tilla si kjo me Shkumbinin, nuk mund t’u thuash asgjë. Nuk është me rubinet që kur t’I duhen kryetarit të Bashkisë I thërret në miting porn ë fushën e futbollit nuk I thërret me çelës. Tifozët thirren kur ka ndeshje të vërtetë futbolli, kur ka të rinj që japin më të mirën në fushën e lojës. Kur ftohen tifozët me gjëra të tilla, është e vështirë t’i bindësh për të shkuar në stadium dhe një skuadër pa tifozë nuk ka fare vlerë. Prandaj dhe kryetari I Bashkisë duhet ta luajë rolin e tij të vërtetë edhe si president I klubit për ta vënë autoritetin e Vllaznisë në vend”- thotë Rragami. Ai është I drejtëpërdrejtë në fjalët që thotë. Ka qenë edhe pranë skuadrës kohët e fundit në rolin e konsulentit teknik dhe e ka parë fare mirë se kush e ka veshur fanellën e kësaj skuadre prandaj shton: “Fanellën e Vllaznisë e kanë veshur shumë futbollistë, shumë prej tyre ndoshta edhe nuk e kanë merituar. Nuk është e lehtë me mbajt të veshur atë por edhe nuk duhet t’ia krijojmë atë turp për t’I thënë lërë këtë apo atë ndeshje. Dikush e ka marrë lehtë këtë punë dhe prandaj duhet bërë një reformë sportive. Duhet ta nisim nga kjo ndeshje, sepse nuk nis puna e re pa analizuar mirë atë çfarë ka ndodhur më parë”. Nga ana tjetër, Rragami është ndjerë I shqetësuar nga fakti që drejtuesit e klubit kanë filluar të mendojnë për trajnerin e ri pa analizuar më parë sezonin që u mbyll. Pa nxjerrë në plan të parë të metat dhe gabimet e bëra, pa analizuar se çfarë do bëhet për sezonin e ri. “Klubi duhet të bëjë një analizë njëherë të këtij sezoni që u mbyll dhe besoj se ka shumë për të analizuar. Shoh që ka një projekt për Duron a ndonjë trajner tjetër por pa ndrequr këto gabime, nuk kemi pse thërrasim trajner tjetër.Trajneri që vjen duhet ta gatuajë “gjellën” me duart e tija dhe nuk duhet të mendojë se do ia bëjnë të tjerët. Këto janë sugjerime që mendoj se drejtuesit e klubit duhet t’I marrin parasysh”-ka thënë në fund mjeshtri I njohur Ramazan Rragami.
Gjergj KOLA