Të gjithë e mbajnë mend për rekordin e pazakontë të ekzekutimit të saktë të shtatë 11-metërshave në një ndeshje futbolli. Bëhet fjalë për mjeshtrin e futbollit Ramazan Rragami. Në ndeshjen finale të Kupës së Republikës në vitin 1972, ai u tregua i saktë duke shënuar plot shtatë herë nga pika e bardhë dhe që nga ai moment, thuhet se edhe FIFA vendosi të ndryshonte rregullin e gjuajtjes së 11-metërshave nga vetëm një futbollist. Po si shpjegohet që mjeshtri Rragami ishte kaq i saktë në ekzekutimin e tyre.

Vetë ai, në një prononcim të dhënë në atë kohë, do të deklaronte kështu për gazetën “Sporti Popullor” kur thoshte:
“Përgatitja psikologjike është bazë për realizimin e 11-metërshit. Nga kjo anë, kam qenë gjithnjë në rregull dhe nervat i kam patur të forta. Nuk më bënte përshtypje rezultati, minuta dhe as fjalët e ngrohta të shokëve të mi, apo “pëshpëritjet” e kundërshtarëve.

Rregulloja topin, shikoja pozicionin e portierit dhe përgatitesha për një gjuajtje të fortë, poshtë dhe në kuadrat. Thuhet se realizimi i penalltisë është një gjë e thjeshtë. Nga kjo, disa futbollistë përpara gjuajtjes, më parë mendojnë për suksesin sesa për ekzekutimin e mirë të saj.

Kështu që ndodh humbja e vëmendjes dhe përqendrimit. Gjithashtu edhe frymëmarrja dhe hapat për të shkuar deri tek topi, kanë rëndësinë e tyre.

Lojtari i qetë dhe i përgatitur nga ana psikologjike e realizon gjithmonë penalltinë. Kuptohet,penalltinë që vendos fitoren, se kur ndodhesh, ta zëmë, në avantazh me më shumë se një gol, 11-metërshin e realizon çdo futbollist”
© shkodrasport.com