Barazimi i së dielës ndaj tomorit, i ka zhgënjyer të gjithë në shkodër. Më së shumti, për mënyrën e lojës që ka bërë Vllaznia. Këtë mendim nuk e kanë vetëm tifozët e thjeshtë por edhe njerëz të futbollit. Njëri prej tyre, i mirënjohuri Ramazan Rragami madje është shumë kritik ndaj këtij aspekti dhe lojën me të cilën Vllaznia luajti ndaj Tomorit, e krahason me atë të plot 50 viteve më parë. “Ajo lojë që pashë ndaj beratasve të dielën, më ka zhgënjyer jo vetëm mua por besoj se të gjithëve. Në atë mënyrë, është luajtur plot 50 vjet më parë nga Vllaznia. Dhe të mendosh se po luan sërish në të njëjtën mënyrë, është absurde. Krahasimin me periudhën e mëparshme e bëj pikërisht me vitin 1962. Vllaznia në atë periudhë kishte rënë nga kategoria, luante në të dytën dhe të njëjtën mënyrë loje ka zhvilluar. Kemi luajtur edhe atëherë ndaj Tomorit, Sarandës etj dhe ndryshimi i vetëm ishte se ne fitonim por me lojë të dobët. Përpos kësaj, edhe stadiumi ishte plot. Tifozët vinin të na ndiqnin në çdo ndeshje, ishim të gjithë 17-18 vjeçarë, të rinj dhe kishim të ardhme.isha unë, Frederik Çapaliku, Medin Zhega, Sabah Bizi, Esat Rakiqi etj të cilët sapo kishim filluar të luanim me Vllazninë. Ishim të rinj dhe kishim dëshirë por kjo na shërbeu për të ardhmen pastaj sepse edhe tifozët na inkurajonin shumë. Por tek Vllaznia e sotme, as nuk kishte tifozë të përkrahnin skuadrën dhe as nuk ishin lojtarë të rinj në fushë. Përgjegjësia është e madhe e këtyre futbollistëve që nuk dhanë vlerat e tyre të vërteta, nuk nderuan ashtu siç duhet fanellën e Vllaznisë”- ka thënë mjeshtri Rragami. Ai ka qenë edhe me trajnerin Vata në rolin e këshilltarit duke mbrojtur punën e tij, është edhe tani që po drejton Grima dhe ka kurajon të thotë se kush është fajtori për këtë situatë që po kalon skuadra. “Mendoj se përgjegjësinë më të madhe në këtë mes, e kanë futbollistët. Nuk mund të themi se njëri trajner ishte i keq dhe tjetri i mirë. Këtu askush nuk po del i mirë me rezultate sepse këta futbollistë nuk po i jutifikojnë lekët që marrin. Nuk po e justifikojnë fanellën që kanë veshur dhe kjo është e pafalshme. Ka kohë që nuk ndodhë kjo gjë që Vllaznia të ndihet e rrezikuar për të rënë nga kategoria dhe lojtarët vetë duhet të jenë përgjegjës për këtë situatë”- vazhdon prononcimin e tij Rragami. Nga ana tjetër, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit, Vllaznia ende nuk mund të quhet e shpëtuar nga rreziku i kalimit në zonën play out. Mjeshtri i njohur megjithatë nuk mendon se skuadra shkodrane ka rënë kaq poshtë sa t’ia lejojë vetes një rrëshqitje të tillë kur janë për t’u luajtur edhe dy ndeshje, praktikisht të lehta në letër prandaj duke folur për “Sporti Shqiptar”, do të shprehej: “Do luhet ndaj Dinamos në Tiranë dhe Shkumbinit në shkodër. Të jem i sinqertë as që e mendoj se ka shkuar puna deri aty sa të mendoj se nuk do i marrim të paktën tre pikë ndaj këtyre dy skuadrave. Por nëse thashë që nuk është normale që gjërat të shkojnë deri këtu, kjo është mëse e vërtetë. Kampionati duhej të ishte mbyllur me Tomorin për Vllazninë por kjo nuk ndo të thotë se duhet menduar që të lihen gjërat për ndeshjen e fundit me Shkumbinin. Që ndaj Dinamos duhet tentuar fitorja për të qenë të qetë pastaj në ndeshjen e fundit”..
Gjergj KOLA