Ramazan Rragami, një nga emrat më të spikatur të viteve ‘70-‘80 të Vllaznisë, ka theksuar se kjo skuadër dalëngadalë po kthehet në situatën e mëparshme. Ai i ka parë si mjaft pozitive rezultatet e fiksuara së fundmi nga shkodranët. “Mendoj se Vllaznia ka marrë dy rezultate pozitive javën që shkoi. Ka luajtur dy takime me dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Barazimi me Tiranën mund të ishte ndryshe, nëse ekipi do ishte treguar më i vëmendshëm si në mbrojtje, ashtu edhe në portë. Mirëpo një barazim me Partizanin për kupë është shumë domethënës sa i përket vazhdimësisë së kësaj skuadre në këtë kompeticion. Megjithatë, unë shpresoj që shkodranët në përballjen e dytë të Kupës së Shqipërisë me ‘demat’ të tregohen të matur dhe të arrijnë ta bëjnë të mundur një gjë të tillë, përndryshe largimi nga ky kompeticion do të ndikonte negativisht në të ardhmen. Ndërsa në ndeshjen me Tiranën mendoj se ekipi lëshoi shumë në pjesën e dytë. Gjithsesi, me atë inferioritet që kuqeblutë kishin në aspektin numerik arritën të marrin më të mirën. Nuk mund dhe nuk duhet që të quhen në asnjë mënyrë këto dy rezultate negative për Vllazninë”, – ka thënë fillimisht Rragami.
Lushnja Rezultatet e munguara në takimet e fundit, për Mjeshtrin e Merituar të Sportit, Ramazan Rragami, kanë pasur lidhje me shumë faktorë. Megjithatë, ai është optimist se Vllaznia mund të arrijë një fitore në takimin e kësaj fundjave kundër Lushnjës. Një gjë e tillë, sipas tij, mund të ndryshojë pozitivisht situatën në kampin kuqeblu. “Takimi i kësaj fundjave me Lushnjën është shumë i rëndësishëm për Vllazninë. Një përballje, ku skuadra pavarësisht problematikave që mund të ketë në përbërje, duhet të kërkojë vetëm një rezultat: që është fitorja. Vllaznisë nuk i falet që të gabojë më në shtëpi. Unë jam optimist se kuqeblutë do të dinë të marrin maksimumin, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë. Gjithsesi, një fitore ndaj verdhejeshilëve do të ishte një ogur i mirë për të ardhmen. Kampionati ynë ka treguar se me 3 pikë të fituara mund të shkosh larg, siç edhe me 3 pikë të humbura mund të rrezikosh. Nuk ka asnjë skuadër, duke filluar madje nga Skënderbeu, që mund të ndihet e rrezikuar nëse humbet dy apo tri takime me radhë. Shpresoj që tani Vllaznia të kthehet te fitorja me Lushnjën dhe mes skuadrave të para të klasifikimit”, – ka deklaruar Mjeshtri i Sportit, Rragami.
Situata – Në fakt, situata te Vllaznia nuk është më e mira. Sikur të mos mjaftonin mungesat e tre titullarëve, në pankinë nuk do të jetë as tekniku Canaj, i cili është i pezulluar. Kësisoj, stafi teknik po mendon për formacionin që do të hedhin në fushë ndaj Lushnjës, në mënyrë që të mos ndihet shumë mungesa e portierit Vujadinoviç, mbrojtësit Baçi dhe mesfushorit Belisha, të cilët nuk do të jenë të gatshëm për arsye kartonësh.
Admir URUÇI