Mjeshtri I madh I futbollit shkodran dhe atij shqiptar Ramazan Rragami ndjehet I shqetësuar nga zhvillimet e fundit tek Vllaznia. Fillimi I largimeve të disa lojtarëve cilësorë, sipas tij është një fakt shumë shqetësues për të ardhmen e kësaj skuadre. Duke folur për gazetën, ish- lojtari I Vllaznisë, Partizanit dhe kombëtares shqiptare, thotë se drejtuesit e klubit duhej t’I kishin menduar me kohë atë se çfarë do bënin për të mos u gjendur të papërgatitur siç po gjenden në këto momente. “Vllaznia nëse ka dasht për me mendu për një etapë të dytë, më parë është dasht të mendojë për një etapë të parë. Për të përcaktuar se cilët lojtarë do qëndrojnë tek Vllaznia. Unë nuk dua të ndalem konkretisht pse u largua Smajli apo pse mendohet të largohen edhe Vujadinoviç e Dragoi. Nuk dua t’ia di nëse kanë qenë arsyet financiare, forma sportive, dëshira e trajnerit, objektiva e klubit etj, ato që vendosin për këto largime. Unë e marr në aspektin si duhet ndërtuar skuadra sepse lojtarët e mirë nuk mund të merren përditë”- ka thënë Rragami në fillim të intervistës së tij. Madje, ai më poshtë e shton edhe dozën e pesimizmit për të ardhmen e kësaj skuadre. Duke menduar largimin e Smajlit apo dhe largimet e mundshme të Vujadinoviç e Dragoit siç përflitet, ai do thoshte me forcë: “Ky është një alarm. Një alarm për Vllazninë e sezonit të ardhshëm. Nuk e dimë se cilat do jenë objektivat e sezonit tjetër sepse duke u larguar këto lojtarët e mirë, sigurisht që forcohen skuadrat e tjera dhe dobësohet Vllaznia. Nëse dikush mendon se kemi të rinj tek të cilët do mbështetemi, nga ato që pamë në këto ndeshjet e fundit nuk pamë lojtarë tek të cilët mund të mbështetemi plotësisht. Ata mund të ndihmojnë në ecurinë e skuadrës por jo të mbajnë peshën e saj. Nëse sivjet u renditëm në vendet 6-7 por vitin tjetër nuk do jetë më ajo historia e skuadrës që pretendon për më lart por do të kishim një Vllazni që do të luftonte për mbijetesë aq më tepër që do jetë edhe një kampionat me 12 skuadra”. Mbase fjalët janë disi të rënda por në fakt ky është realiteti. Një skuadër që niset çdo sezon me pretendime të mëdha por që në fund renditet në mesin e tabelës. Duke iu rikthyer edhe njëherë largimeve, Rragami ndalet sërish tek ai I Smajlit. I jep të drejtë futbollistit për veprimin e bërë por nga ana tjetër fajëson drejtuesit e skuadrës për mosmarrjen e masave të duhura për zëvendësimin e tij apo dhe të tjerëve lojtarë cilësore me po të tillë. “Kam ndjekur çështjen e Smajlit. Kam dëgjuar edhe intervistën e tij dhe fjalët e këtij futbollisti më janë dukur krejt të sinqerta. Unë e shoh largimin e tij në një tjetër aspekt. Nga Vllaznia Smajli shkon tek Flamurtari, një skuadër që përveçse ka forcuar veten ka dobësuar edhe skuadrën shkodrane. Kështu mund të ndodhë edhe me Dragoin, edhe me Vujadinoviçin për të cilin kam mendimin se është portieri më I mirë në Shqipëri por edhe më gjerë me vlerat që ka treguar.  Por nga ana tjetër, nëse na largohet Vujadinoviç, pyetja që lind është se a ka menduar klubi Vllaznia për të rritur një portier që do ta zëvendësonte. Nëse largohet Smajli, a do ketë një mbrojtës të djathtë të atij niveli për ta zëvendësuar? Pra, nuk kemi menduar t’I zëvendësojmë këta lojtarë me të tillë, por I zëvendësojmë me më të dobët. Në kushte të tilla, Vllaznia mendoj unë se nuk do ketë progres por regres dhe kjo gjë duhet t’I shqetësojë të gjithë drejtuesit e saj”- ka thënë në fund të prononcimit të tij Ramazan Rragami.
Gjergj KOLA