Për të dytin vit radhazi ka dështuar transferimi i mbrojtësit Randi Dumfur, këtë herë në Arabinë Saudite.

Futbollisti ganez është rikthyer te Skënderbeu dhe shprehet se është gati të japë kontributin e tij me fanellën bardhekuqe. Pasi nuk arriti akordin me një klub në Arabinë Saudite, ku pretendonte të vijonte karrierën, mbrojtësi është kthyer në Korçë edhe për faktin se ka një kontratë aktive me Skënderbeun.

“Jam i lumtur që u riktheva te Skënderbeu, pasi nuk u transferova në Arabi. Falënderoj klubin që më hapi sërish dyert dhe më bëri pjesë të tij. Isha pranë nënshkrimit të një kontrate mjaft të mirë për mua në superligën e Arabisë, por për arsye të ndryshme, mes të cilave edhe problemi i dokumentacionit, nuk u realizua ky transferim. Kështu u riktheva te Skënderbeu”, u shpreh fillimisht ganezi.

FORMA – Randi Dumfur shprehet se është në formë të mirë sportive për të zbritur në fushë. Ai thotë se e ka ndjekur ekipin gjatë kësaj periudhe dhe mendon se Skënderbeu ka merituar më shumë pikë, sepse ka zhvilluar lojëra të mira.

“Gjatë kësaj kohe kam zhvilluar stërvitje individuale për të mbajtur formën fizike, kështu që mendoj se jam gati për te luajtur me Skënderbeun që nga ndeshja e ardhshme. Ekipin e kam ndjekur dhe kam parë se përtej ndryshimeve grupi mbetet i fortë. Nuk e kemi nisur mirë kampionatin, me lojërat që skuadra ka zhvilluar mund të kishim më shumë pikë në këto 5 javë”, e mbyll prononcimin e tij mbrojtësi i Skënderbeut.

Drejtuesit e klubit e kanë mirëpritur rikthimin e tij dhe kështu Skënderbeu kompleton qendrën e mbrojtjes me 4 lojtarë në dispozicion për këtë pozicion. Skuadra e trajnerit Gvozdenoviç ndërkohë është duke punuar për ndeshjen e radhës me Laçin, që do të luhet ditën e shtunë në Korçë. Objektivi i vetëm i korçarëve është rikthimi te fitorja, pas humbjeve me Teutën dhe Dinamon.