Që kur Leo Messi dhe Barcelona i ndanë rrugët në vitin 2021, klubi katalanas nuk ka pasur përfaqësues në kombëtaren argjentinase. Pas fjalëve të fundit që Raphinha i tha Romarios në një intervistë të dhënë për kanalin e legjendës braziliane në YouTube, duhet të gëzohemi për këtë, pasi kështu u shmang një konflikt ndërkombëtar në klubin katalanas.

Për të mbyllur intervistën, Romario e pyeti nëse Brazili do t’i jepte një goditje të fortë Argjentinës në Buenos Aires, të martën në mbrëmje, në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026.

“Do të luajmë kundër Argjentinës, rivalit tonë më të madh. Tani, falë Zotit, pa Messin. A do t’iu japim një goditje?” – pyeti ish sulmues i Barçës në sezonin 1993-1994.

“Pa dyshim, do t’iu japim goditje. Brenda dhe jashtë fushës, nëse duhet”, – tha Raphinha, duke u përgjigjur në mënyrën e parashtruar nga Romario.

“A do të shënosh gol edhe kundër Argjentinës?” – e inkurajoi Romario.

Raphinha e mbylli intervistën me një përgjigje të fortë: “Po, do t’ua shënoj një gol. Le t’u djegë sa më shumë”.

Mesazhi, sigurisht, u përhap menjëherë në Argjentinë. Motivim i shtuar dhe shumë kuriozitet për klasiken e madhe amerikano-jugore, në të cilën do të mungojë Messi kësaj here, por jo yjet e tjerë të shumtë./telesport/