Barcelona fiton Superkupën e Spanjës për herë të 15-të në historinë e saj. Katalanasit mposhtën me shifrat 5-2 Real Madrid në finalen e luajtur në Yeddah të Arabisë Saudite.

Fillimishit ishin madrilenët që zhbllokuan finalen me golin e shpejtë të Mbappe. Një super aksion i shpejtë i madrilenëve që konkretizohet në mënyrë ideale nga Kyllian Mbappe, vetëm pas 5 minutave lojë.

Fillimisht katalanasit barazuan shifrat me Yamal në 21′, më pas shënuan dy gola të shpejtë me Lewandowskin nga pika e bardhë e penalltisë në 36 dhe 3 minuta më vonë me Raphniha-n.

Francezi Camavinga tregohet i pakujdesshëm, duke penguar Gavin dhe arbitri akordon penallti. Lewandowski me qetësinë që e karakterizon nuk gabon nga pika e bardhë.

Tre minuta më vonë, Raphinha shënon golin e tretë për Barcelonën pasi mori një asist të bukur nga Kounde dhe me kokë dërgon topin në rrjetë, duke çuar shifrat në 1-3. Kur u duk që pjesa e parë do mbyllej këtu, Barcelona gjeti dhe kohë dhe për golin e katërt, i cili u shënua nga Balde.

Pjesa e dytë e finales nisi po me gol. Në minutën e 48′, Raphinha shënon golin e pestë për katalanasit dhe të dytin personal për këtë ndeshje, pas topit të marë nga Casado dhe një veprimi spektakolar brenda zone nga braziliani që dërgon topin në rrjetë për herë të pestë.

Në minutën e 56′, Barcelona mbetet me 10 lojtar, pasi portieri Szczesny ndëshkohet me karton të kuq. Polaku bën dalje të gabuar dhe pengon Mbappe-n jashtë zone, arbitri nuk e fal dhe e ndëshkon direkt me të kuq.

Në minutën e 60′, Reali shënon golin e dytë. Rodrygo shënon nga goditja e dënimit që u dha nga ndërhyrja e gabuar e Szczesny dhe i dërgon shifrat në 2-5.

Minutat e mbetura nuk sollën asgjë të re dhe rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me katalanasit që festojnë me të drejtë këtë fitore të madhe.