Ndryshe nga një sezon më parë, në sezonin e ri ekipi I basketbollit të femrave të Vllaznisë e ka nisur më mirë kampionatin. Pas humbjes në javën e parë me Flamurtarin në Shkodër, për këtë ekip kanë ardhur dy fitore të njëpasnjëshme, me Skënderbeun në Korçë dhe me Elbasanin në Shkodër. Trajneri I këtij ekipi Rajmond Rasha duke folur për gazetën “Shkodra Sport” do të shpjegonte sipas mënyrë së tij edhe atë çfarë ka ndryshuar tek ky ekip. “Unë mendoj se nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe tek ekipi. Thjesht vajzat janë një vit më të mëdha në moshë dhe për rrjedhojë e përballojnë disi më mirë kundërshtarin dhe ekipin. Problemet e tjera janë të njëllojta, ana financiare nuk ka ndryshuar asgjë për mirë e po ashtu edhe kushtet e stërvitjes nuk janë përmirësuar për të mos thënë se janë përkeqësuar sepse stërvitemi bashkë me ekipin e të rejave dhe kemi  vetëm dy orë në dispozicion pallatin e sportit”- thotë trajneri I Vllaznisë. Në fakt, nga skuadra ka patur largime gjatë verës. Janë larguar drejt Tiranës dy prej sportisteve më të mira të ekipit, Sokoli dhe Xhanaj dhe në lidhje me to, trajneri Rasha do të thoshte: “ Duke iu referuar rezultateve të deritanishme, largimi I kapitenes  Sokoli nuk ka ndikuar shumë tek skuadra. Por të kesh një rezërvë më të mirë, është mirë për ekipin. është larguar dhe Enxhi Xhanaj për arsye studimesh në Tiranë por këto largime janë normale sepse nuk mund t’I ndalesh. Unë shqetësohem për largimet nga sporti për arsye të tjera sepse sot është shumë e vështirë t’I sjellësh vazjat pranë sportit dhe ata për shumë arsye nuk kanë dëshirë të merren me sport. Mbase pikësëpari duhet ndryshuar ligji I sportit në mënyrë që bizneset të ofrohen pranë sportit dhe nëse ndodh kjo, atëherë do ketë më shumë interes dhe më shumë cilësi”. Vllaznia ka dy fitore dhe këtë fundjavë do ndeshet me Tiranën. I pyetur se a mund të konsiderohet pretendente skuadra që ai drejton, Rasha e ka të qartë se jo prandaj dhe këtë e sqaron në përgjigjen e tij:  “Ekipet pretendente për titull janë Flamurtari, Apolonia dhe Tirana. Në raport me to kuptohet që nuk mund të matemi. Ndoshta një pjesë loje edhe e përballojmë por kuptohet që pastaj hyjnë në lojë eksperienca e lojtarëve, përvoja e tyre dhe shumë gjëra të tjera. Marrim shembull Flamurtarin. Ai ka pesë lojtarë të blera dhe në pamje të parë ky ekip nuk është I Vlorës por realiteti ky është. Edhe këto dy ekipet e tjera kanë në rradhët e tyre shumë lojtare cilësorë dh me përvojë. Ata kanë financat dhe zgjedhin lojtare ndërsa ne punojmë me shumë mund për t’I bërë basketbolliste disa vajza që kanë pasion sportin. Megjithatë, edhe përballë këtyre kundërshtarëve Vllaznia do të mundohet të bëjë më të mirën për t’I konkurruar megjithëse objektivi ynë është për të zënë një vend në mesin e tabelës së renditjes”.
Gjergj KOLA