Milot Rashica duket se ishte i bindur se do të laroghej nga Verder Bremen gjatë kësaj seance të merkatos. Por edhe pse priti deri në sekondën e fundit, marrëveshja për ta dërguar atë në një skuadër tjetër, nuk u konkretizua dhe futbollisti i Kosovës do të jetë i detyruar të qëndrojë në të njëjtin klub të paktën edhe deri në janar.
Ai kishte udhëtuar drejt Leverkusenit në pritje të akordit të Bajer me Verderin, i cili nuk u arrit, ndërsa në aeroport, e priste në çdo moment gati një avion privat i cili mund ta niste drejt Anglisë.
Disa klube kishin shfaqur interes për të, ndaj Rashica kishte prenotuar një avion privat për udhëtimin nëse do t’i duhej të shkonte me shpejtësi atje për të firmosur.
Por në fund nuk u realizua asgjë dhe zhgënjimi i tij ishte padyshim i madh. “Ishim në kontakte me Leverkusenin për një kohë të gjatë, por bisedimet filluan në të vërtetë vetëm gjatë pasdites. Ne kishim negociata të forta.
Leverkuseni nuk dëshironte të bënte një transferim përfundimtar. Kishte modele të ndryshme dhe çështje si opsionet e klauzolat për blerjen.
Në fund, nuk kishte kohën e duhur për të gjetur një zgjidhje. Kjo nuk ishte një eksperiencë e këndshme për Rashicën, ndoshta do t’i duhet pak kohë ta kalojë”, tha menaxheri Frank Bauman.
Ndaj klubi ka vendosur që Rashica të qëndrojë larg fushave stërvitore për një javë, që të kalojë dëshpërimin e tij. “Ditët e fundit nuk kanë qenë të lehta për Milotin, ka pasur shumë vajtje-ardhje. Ndaj ne kemi vendosur që t’i japim një jave pushim që të qartësojë mendjen dhe të fokusohet plotësisht te Verderi përsri”, deklaroi trajneri Florian Kohfeldt. /vipsport/