Në rast se do kishte shënuar në atë moment që iu paraqit, Armando Vajushi sot do ishte në qendër të vëmendjes së gjithë mediave shqiptare. Në minutën e 85-të të ndeshjes miqësore me Kamerunin ai duhej të kishte shënuar teksa ka dalë I vetëm përballë portierit kundërshtar, por ka gabuar në gjuajtje duke e dërguar topin mbi traversë. Ka humbur këtë rast që mund t’I kishte dhënë fitoren Shqipërisë, por mesfushori 20 vjeçar shkodran ka humbur edhe një premio prej 2 mijë eurosh që ai do fitonte nëse do shënonte në këtë ndeshje.
Premion ia kishte akorduar babai I tij që kishte udhëtuar drejt Gjenevës për të parë djalin në debutimin e tij me fanellën kuqezi. Dhe për ta motivuar edhe më tepër, I kishte thënë se do t’I jepte 2 mijë euro shpërblim nëse do shënonte gol. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën tonë vetë Vajushi . “Po është e vërtetë. Kisha në dispozicion 2 mijë euro nëse do shënoja. Nuk e bëra një gjë të tillë dhe prandaj nuk ia fitova premion babait tim por më shumë sesa për këtë, më vjen shumë keq që nuk arrita të shënoj në atë moment që mu krijua. U zbulova bukur nga mbrojtësit, mora topin dhe përballë portierit në momentin e gjuajtjes, trupi më iku disi prapa duke më humbur ekuilibrin dhe për rrjedhojë godita keq duke e dërguar topin mbi traversë. Nëse do shënojë do ishte ideale sepse edhe do t’I jepja fitoren kombëtares sonë. Sa për premion, prapë nuk dola I humbur sepse babai më dhuroi 500 euro për barazimin dhe lojën që zhvillova. Jo keq e”- thotë ai me të qeshur. Vajushi ndërkohë ka marrë edhe vlerësimet nga ana e trajnerit De Biazi, çka do të thotë se në njëfarë mënyre e ka kaluar testin. “Pas ndeshjes, trajneri De Biazi na takoi si mua ashtu edhe Balën dhe na përgëzoi për lojën e zhvilluar dhe na tha se duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë mënyrë. Besoj se me paraqitjen që bëmë në këtë ndeshje, do jemi sërish në planet e tij për ndeshjet e ardhshme dhe detyra jonë është që të të mos e lëshojmë më por të shohim përpara”- ka thënë Vajushi që është rikthyer në Bullgari duke iu bashkuar skuadrës së Liteksit për ndeshjen e rradhës në kampionat.
Gjergj KOLA