Ish-trajneri e drejtuesi i Tiranës, Shkëlqim Muça, ka folur rreth rastit të eksplozivit të vendosur në makinën e administratorit të Vllaznisë, Suad Lici. Duke folur në “Rubrika Sportive”, ai tregoi se kjo situatë ishte pasojë e mentalitetit të trashëguar që nga përgatitja në akademi.
“Ne që kemi qenë në këtë botë e kemi provuar, jo me eksploziv, por me shantazhe apo SMS. Shpresonim që me vite do të përmirësohej, por ka të bëjë me kulturën tonë, ka të bëjë me shumë injorancë. Jam dakord me atë që ndodh me klube që nuk ka zot, kur gjejnë kështu hapësirash edhe bëjnë kështu gjërash duhet që shteti të jetë shumë afër e të denoncojë këto raste.
Nuk është vetëm ky rast, ky është ekstrem, ka mesazhe e gjëra çdo javë, për trajnerët e drejtuesit. I kam provuar si trajner e drejtues. Ka të bëjë me kulturën tonë që ta bëjmë tjetrin me zor lojtar, ka të bëjë që jemi të paorganizuar me fëmijët që në gjenezë.
Formimi nuk është vetëm profesional, por edhe edukativ, shumë lojtarë në Shkodër nuk e dinë se çfarë tradite ka Vllaznia, apo te Tirana në çfarë klubi janë. Aty edukohesh me traditën. Po të shohësh ndeshjet e fëmijëve është batërdi, shahen arbritrat, rrihen me njëri tjetrin, dhunohen gjyqtarë, ka të bëjë me mentalitetin tonë”, tha Muça. /vipsport/