www.shkodrasport.com
Rauf Çanga: Profesor Xhelali ka qenë i veçantë
Në lamtumirën e fundit për Xhelal Jukën sigurisht që nuk mund të mungonin sportistët e tij, ata që vetë i kishte përgatitur, u kishte mësuar futbollin dhe i kishte përgatitur edhe për ekipin e parë. Njëri ndër ta ishte edhe ish-futbollisti i Vllaznisë së viteve ’60- ’70, Rauf Çanga. Duke folur për figurën e profesor Xhelalit, siç e thërriste ai, Çanga do të shprehej: “Pa e marrë vesh lajmin që kishte vdekë profesor Xhelali, e kishim pikërisht sot në mëngjes në gojë duke biseduar për këtë njeri të rrallë, për këtë figurë të shquar të futbollit tonë. Kujtonim me shumë respekt punën që ai ka ba me shumë prej nesh, por kur mësova lajmin e vdekjes së tij, sigurisht që u ndjeva keq. Ka qenë një njeri i rrallë, shumë i devotshëm në punën që ka ba. Nga duart e tij kanë dalë emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran. E kemi patur edhe në ekipin e parë si trajner bashkë me Xhodë Shaqirin në vitin 1972 kur fituam kupë e kampionat. Ka qenë një njeri shumë i dashur, i respektuar nga të gjithë. Pavarësisht edhe probleme të biografisë që ka patur, ai ka arritur t’i sfidojë të gjithë dhe të tregojë vlerat e tij. Kuptohet që me vdekjen e tij, futbolli shkodran dhe ai shqiptar, ka humbur një legjendë, një figurë të rrallë”. Kur vlerësimi vjen nga nxënësit tuaj, sigurisht që është një respekt dyfish sepse ata më mirë se kushdo ia njohin vlerat figurave të tilla si Xhelal Juka. Prandaj dhe sot kemi parë një keqardhje të madhe tek të gjithë ish-sportistët e tij, tifozët dhe sportdashësit shkodranë.