Atletika shkodrane është shquar gjithë këto vitet e fundit për sportistë cilësorë që ka nxjerrë dhe sidomos në dy disiplina sportive, atë të kërcimeve dhe të shpejtësisë.
Nëse tek e para tashmë kemi edhe një Kampion Europe si Izmir Smajlajt, tek ajo e dyta aktualisht kemi një sportist i cili po spikat me paraqitjet e tij.
Bëhet fjalë për Ravio Rama i cili tashmë ka hyrë në elitën e sportistëve në atletikë sepse po dominon në garat e shpejtësisë.
Ka ndodhur kështu edhe garat e sotme të zhvilluara në Elbasan dhe të vlefshme për Kupën e Shqipërisë.
Atleti i Vllaznisë ka dominuar në dy gara duke zënë dhe vendet e para në to. Ai ka dalë i pari në garën e 100 metrave për meshkuj, duke kapur kohën 10.99 sekonda.
Ndërsa në 110 metra me pengesa, ai ka dalë i pari me kohën 14.9 sekonda. Padyshim që këto dy suksese të tij personale kanë ndihmuar edhe Vllazninë si ekip që të shpallej fituese e këtij trofeu.
Ravio Rama është 26 vjeç dhe me pjekurinë e fituar tashmë pritet të jetë dominues edhe për disa vite të tjera në garat e shpejtësisë.
© shkodrasport.com