Mjetet piroteknike të gjetura në stadiumin “Selman Stërmasi” shumë pranë vendit ku ishte vendosur tifozeria e Partizanit, janë sot kryefjala e derbit. Një reagim të ashpër ka bërë klubi i Partizanit në faqen zyrtare, aty ku e konsideron këtë një akt terrorist të mbetur në tentativë, si edhe kërkon nga organet përkatëse të nisin hetimin për këtë çështje.

Ndërkohë, Partizani e ka konsideruar të papranueshëm faktin që vetë klubi i Tiranës nuk ka bërë asnjë reagim apo distancim nga ky akt. Klubi i Partizanit, shton se e gjitha kjo nuk mund të bëhej pa ndihmën dhe bashkëpunimin e administratorëve të stadiumit.

Reagimi:

“Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvajtjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv.

Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë.

Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent.