AGUSTIN KOLA: ASGJE PERSONALE ME GJIKËN. ËSHTË MIK SHUMË I MIRË. RESPEKT MAKSIMAL PËR POPULLIN VLONJAT DHE YJET E VLORËS!
Nga Ervin Baku
Ajo që unë thashë nuk ka lidhje me shitje ndeshjesh per lekë, dhe këtë e përsëris. E gjitha kjo u bë sepse ndërhyri politika. Dhe në momentin që politika ndërhyn nuk mund të flitet më për sport. Me Gjikën unë nuk kam asgjë personale sepse është një mik shumë i mirë, dhe sa e dua Gjikën e sa më do ai mua, nuk besoj se duhet kush tjetër. Unë e njoh shumë mirë Gjikën dhe e di shumë mirë që është burrë zotëri dhe prandaj e bëri edhe atë reagim. Po të ishte burrë, do të reagonte Bamiri, por të gjithë e dimë kush, si dhe çfarë është politika në Shqipëri. Gjika ka bërë shumë, sa të mira ka bërë ai për Flamurtarin… ndërsa këta tjerët po i shkatërrojnë. S’besoj se e do kush Flamurtarin dhe Tiranën aq sa i dua unë, por i dua tamam ndërsa këta mendojnë t’i shkatërrojnë.
Unë jam i drejtpërdrejtë, thashë fiton Kukësi, fitoi. Thashë fiton Partizani, fitoi. Jo se e parashikova, por sepse kështu do politika. Prap dua të sqaroj çështjen me Gjikën. Unë nuk kam asgjë me të, e dua shumë dhe e di se çfarë njeriu është. Ne kemi qenë gjithmonë të persekutuar më herët, “jo maloku”, “jo çami”… Kam respekt maksimal për popullin vlonjat dhe yjet e Vlorës që bënë histori në Europë.
Të shtunën paradite, i ftuar në “Radio Tirana” në emisionin “60 minuta në fushën time”, Agustin Kola, një nga legjendat e Tiranës, deklaroi se në 2009-të, bardheblutë e kishin falur vetë Kupën e Shqipërisë, se kështu donte Bamir Topi.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Shpëtim Gjika iu përgjigj: Dëme psikologjike paska bërë tërmeti! Halucinacione që nuk vlejnë as ti lexosh, e jo më tu përgjigjesh! Nëse miku im Agustini e ka patur ekipin organizate partie, miku im Eqerem Memushi ka drejtuar ekip futbolli!