Largimi i Bekim Kulit nga drejtimi i skuadrës së Luzit 2008-të ishte padyshim “rrufe në qiell të hapur” për gjithë sportdashësit shqiptarë. U emërua dhe zyrtarizua te kavajasit, por rrugëtimi i tij zgjati vetëm disa ditë për shkaqe ende të panjohura.

Së fundmi, është vetë ish sulmuesi i njohur që përmes një postimi në rrjetet sociale shuan aludimet duke theksuar se nuk është shkarkuar. Ai tregon se është larguar me dëshirën e tij, pa dashur të futet në detaje të tjera. E mbyll duke i uruar suksese trajnerit pasardhës në pankinën e kavajasve.

“Përshëndetje! Duke parë “zhurmën mediatike” në orët e fundit mbi emrin tim, doja të sqaroja si më poshtë: Në radhë të parë askush s’më ka shkarkuar. Por, gjithçka ka të bëjë me këndvështrimet personale të mënyrës së të funksionuar te një ekip futbolli.

Si lojtar kampion, si një njeri me CV të pasur në futbollin shqiptar, unë kam kushtet e mia, personalitetin tim dhe askush në asnjë sekondë s’mund ta përbaltë atë.

Nuk dua të zgjatem të analizoj ekipin e Luzit sepse ky nuk është problemi im. Por, i uroj që në një të nesërme të afërt të funksionojë si një skuadër futbolli. Nuk kam asgjë ndaj trajnerit pasardhës. I uroj suksese! Me respekt Bekim Kuli”.