Pas denoncimit të trajnerit të peshëngritjes, Zef Kovaçi, për heqjen e emrit të tij nga medalja e artë që fitoi Erkand Qerimaj në Kampionatin Europian që u mbajt në Tiranë, ka ardhur edhe reagimi i shtangistit shkodran. Qerimaj e pranon se në Europian ka qenë edhe trajneri Kovaçi, por thotë se trajneri i tij kryesor ishte Sokol Bishanaku. Qerimaj deklaron se kontrata me trajnerin është vetëm morale dhe se është e drejta e tij që të ndryshojë.

Qerimaj, cili është qëndrimi juaj në lidhje më çështjen e shpërblimit të trajnerit në medaljen e artë që fituat në Kampionatin Europian?

Unë me ish-trajnerin Zef Kovaçi e kam mbyllur bashkëpunimin që në dhjetor të vitit të kaluar. I kam shprehur disa pakënaqësi që kam pasur, pasi ai më la vetëm vjet në Kampionatin Europian në Moskë, kompeticion ku shkova vetëm. Madje dy ditë para Europianit të Moskës unë e kam marrë vesh nga një sportist tjetër dhe jo nga vetë trajneri, që Zef Kovaçi nuk do të vinte. Në Kampionat Botëror gjithashtu nuk ishte i disponueshëm për garën dhe kishte disa seanca që unë isha vetëm. Kështu që atëherë i kam thënë që duhet ta mbyllim aty miqësisht bashkëpunimin.


Ndërkohë në klubin Tirana është Kovaçi ai që figuron aktualisht si trajneri juaj…

Nga ana ligjore ne nuk kemi kontratë noteriale për bashkëpunimin. Trajneri thjesht merrte një pagesë në klubin Tirana. Një rast të ngjashëm e kemi në vitin 2014, kur unë dola kampion i Europës. Asokohe unë figuroja te klubi Vllaznia me trajner Muhamet Tuzin, por shpërblimin e ka marrë Zef Kovaçi që nuk ka qenë trajner në klub. Edhe në vitin 2008 unë kam figuruar te Vllaznia me trajner Genc Barkiçin dhe Zefi nuk ishte pjesë e klubit, por mori shpërblimin. Pra nuk është domosdoshmërish e nevojshme që duhet të jesh pjesë e klubit për të marrë shpërblimin për medaljet. Gjithashtu, kur kam ardhur në Tiranë për studime më shumë kam punuar me Sokol Bishanakun në atë periudhë, në vitet 2007-2008, dhe me Zefin shumë pak kohë, ndërsa shpërblimin e ka marrë Zefi pasi ka qëlluar në periudhën e fundit. Unë kam të drejtën që të marr edhe trajner të huaj, është e drejta ime që ta ndryshoj.


Por Zef Kovaçi ka qenë me ju edhe në garë gjatë Europianit…

Zefi ka asistuar në garë, por trajneri im kryesor ka qenë Sokol Bishanaku. Zefi ka marrë shpërblimet e vjetshme, por nuk do të marrë gjithë jetën, pasi unë i kam kërkuar me kohë që të largohet. Ia kam shprehur disa herë që të largohet, por thjesht më ka kërkuar miqësisht për të marrë një pagesë në klub. Unë kam bërë shkresë në federatë që trajneri im në vazhdim që nga janari i këtij viti të jetë Sokol Bishanaku. Për këtë kemi një deklaratë të protokolluar të firmosur nga unë, nga presidenti, nga sekretari dhe nga trajneri Sokol Bishanaku, që në garat ndërkombëtare në vijim të jetë Bishanaku trajneri im. Kam shkuar në federatë dhe i kam kërkuar presidentit që më duhet një trajner, pasi trajneri im është i paaftë për punën për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Duket e pakuptimtë që trajneri ju shoqëron në garë në Europian, në një kohë kur ju i keni kërkuar që të mos jetë më trajneri i juaj…

Këtë gjë e ka kërkuar ai vetë në mënyrë miqësore, në mënyrë që të marrë honorare, pra pagesën nga klubi. Ka qenë një marrëveshje miqësore. Duke qenë që edhe Europiani ishte në Shqipëri, Kovaçi ka insistuar që të jetë i pranishëm në garë. Më pas në Lojërat Mesdhetare u shoqërova nga Bishanaku. Gjithashtu në Europian si dhe Mesdhetare ka qenë prezent edhe Artur Lagja, të cilin e kam pasur trajner në fillim të karrierës në Shkodër.


Kovaçi deklaron se ka qenë ai me ju në grumbullimin e Europianit dhe jo Sokol Bishanaku. Ndërsa thotë gjithashtu ka firmosur edhe në testin antidoping…

Për sa i përket grumbullimit, këto janë thjesht pretendimet e tij dhe fjalë. Ndërsa nuk ka lidhje pjesa e firmës te kontrolli antidoping, pasi bëhet fjalë vetëm për një formular. Nuk është se ka firmosur për të marrë shpërblimin. Nuk kemi asnjë kontratë noteriale, gjithçka ka qenë një marrëveshje morale, e cila gjithashtu ka mbaruar në dhjetor, pasi i kam komunikuar se duhet ta mbyllim bashkëpunimin. E gjitha kjo është një situatë që nuk ndikon pozitivisht për mua, pasi jam në përgatitje për Botërorin dhe duhet që të jem i qetë.


Trajneri Kovaçi është shprehur se kishte vendosur të largohej vetë, por këtë vendim thotë se e kishte njoftuar pas Europianit…

Nuk e kërkuar ai, pasi unë ia kisha bërë të ditur që në dhjetor për mbylljen e bashkëpunimit për arsyet që i thashë edhe më lart. Madje, trajneri ka dhënë dorëheqjen që vjet në Moskë. Trajneri bie në kundërshtim me fjalët e tij, pasi edhe vetë ka thënë se ka probleme me shikimin dhe e ka të pamundur. Pra atëherë është i paaftë për punë, përderisa nuk shikon. Që në Botëror i kam kërkuar, duke i thënë se në këto kushte je duke më dëmtuar dhe duhet të largohesh. Kishte paaftësi prej shikimit dhe probleme emocionale, që ndikuan edhe te provat apo te gara, pasi mund të paraqitesha më mirë. Por ai më kërkoi në mënyrë miqësore për një pagesë në klub. Kaq është e gjithë historia dhe ky është realiteti.


Një tjetër pretendim i trajnerit është se nuk ka asnjë konsensus për prishjen e këtij bashkëpunimi para Europianit…

Unë nuk kam asnjë kontratë me trajnerin Zef Kovaçi, ky është vetëm bashkëpunim moral dhe unë mundëm ta ndërpres këtë marrëveshje. Siç kam bërë për arsyet që edhe përmenda. Edhe në të shkuarën, për shembull kur dola kampion Europe në vitin 2014, unë kam figuruar me trajner tjetër në klub te Vllaznia dhe shpërblimin të gjithin e mori Zef Kovaçi, që nuk ishte pjesë e klubit. Pastaj këtë qershor trajneri Kovaçi ka marrë 20 milionë lekë shpërblim të vitit të kaluar, kur kishte kohë që nuk paraqitej në palestër. Unë jam një sportist që kam ndërruar 5 trajnerë dhe nuk është fundi i botës se ndryshohet një trajner. Unë nuk dua të punoj me të dhe nuk mund të vazhdohet me zor.