FSHF ka reaguar sërish me një deklaratë për shtyp në lidhje me shtyrjen e ndeshjes Vllaznia-Lushnja. Institucioni i futbollit i është përgjigjur reagimit të ashpër të Flamurtarit , i cili akuzoi për veprim dashakeqëse për ndryshimet në kalendarin e kampionatit. Sipas vlonjatëve FSHF ka favorizuar disa skuadra të veçanta për të përgatitur sa më mirë ndeshjet.

 

REAGIMI I FSHF
Fedetata Shqiptare e Futbollit, referuar së fundmi edhe shqetësimit të FC Flamurtari në lidhje me ndryshimet në kalendarin e kampionatit në këto javë, kërkon të risjellë edhe një herë në vëmendje jo vetëm të klubit Flamurtari, por edhe të të gjithë klubeve, opinionit sportiv, që të tilla vendime kanë ardhur vetëm pas një arritjeje absolute të konsensusit mes klubeve përkatëse, ndeshja e të cilave është ndryshuar në datë dhe vend. Në asnjë rast tjetër, FSHF nuk ka hedhur asnjë hap në vendimmarrje për ndryshim të kalendarit, pa patur më parë zyrtarisht nga të dyja klubet kërkesën për shtyrjen e ndeshjes. Më konkretisht:
Ndeshja e ndryshuar së fundmi mes Vllaznisë dhe Lushnjes e planifikuar për tu luajtur në Shkodër sipas kalendarit është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet këtë mesjavë, pasi të dy klubet në rakordim dhe konsensus të plotë me njeri-tjetrin i kerkuan FSHF-se për këtë shtyrje.  Administratori i klubit të futbollit Vllaznia, Astrit Gjyrezi dhe Kryetari i Bashkise se Lushnjes Fatos Tushe kane kërkuar nëpërmjet një komunikimi me Sekretarin e Përgjithshëm që për shkak të fushës së “Loro Boricit” ende në rikonstruksion ndeshja të luhej në një datë tjetër. Parë këtë vullnet dhe konsensus të përbashkët nga të dy klubet, Sektori i Garave në FSHF vendosi që ndeshja të luhet javën e ardhëshme.
Po kështu edhe sfida me Vllaznisë dhe Skënderbeut në kalendar që u vendos të luhej në fushën e Korcës këtë fazë dhe në Shkodër fazën tjetër ishte produkt i konsensusit mes dy klubeve dhe FSHF e miratoi këtë zëvendësim fushash nga faza në fazë.
Në lidhje me pretendimin e FC Flamurtarit që kërkoi shtyrjen e ndeshjes me Luftëtarin, këtë vendim FSHF nuk e mori për faktin se kishte vetëm një kërkesë të njëanshme, vetëm nga klubi i Flamurtarit, por jo një të tillë nga Luftëtari. Për pasojë, pa patur “OK” e të dyja klubeve ndeshja nuk u spostua. Por kjo për faktin e mosarritjes së akordit mes dy klubeve, jo për paranoja periferike konstante sikundër edhe shpesh hamendësohet.
FSHF do të jetë gjithmonë shumë e ndjeshme karshi garës, duke patur shumë prioritare konsensusin e klubeve, por edhe ruajtjen e infrastrukturës.
Në asnjë rast nuk ka ndodhur që Flamurtari të ketë kërkuar shtyrje të ndeshjes së tij, në konsensus edhe me ekipin që ka luajtur, dhe që FSHF nuk e ka miratuar. Çdo vendim ka ardhur si pasojë e vullnetit të klubeve në garë.