Pasditen e djeshme Skënderbeu ka mësuar lajmin e keq se CAS ka lënë në fuqi vendimin e FIFA-s me përjashtim për 10 vite nga Europa dhe ky është një lajm i cili ka bërë jehonë gjithandej.

Ish-lojtari i Vllaznisë, Roland Luçi në një postim në rrjetet sociale ka thënë që duket se ka ardhur koha se duhen paguar haraçet e rënda për trofetë që janë fituar në vitet e fundit.

“Kësaj i thonë që sa merr rrogën t`ja shtrosh rrumbull me raki e të nesërmen të kërkosh borxh të shtysh muajin. Kështu për fat të keq realiteti juridik dhe kjo puna e trofeve të FK Skënderbeut sipas syzeve dhe gjykimit të CAS mbas vendimit të sotëm të tij:

Me sa duket zaret janë hedhur, vendimet janë marrë dhe duhen paguar haraçet e rënda të sukseseve dhe lavdisë së viteve të fundit. Gjithsesi fjala e fundit teorikisht nuk është thënë akoma”, shkruan Luçi.