Ngjarja e sotme ne ndeshjen “Juban Danja/Murlani- Apolonia gjate te ciles pati nje sherr te madh ne mes futbollisteve te te dy ekipeve, shoqeruar edhe me grushta e shkelma ne mes tyre, ka marre edhe vemendjen e duhur te medias.

Por nderkohe ka reaguar klubi i Juban Danja- Murlanit i cili ka sqaruar gjithçka ka ndodhur ne kete ndeshje dhe po ashtu, i ka kerkuar instancave perkatese te FSHF-se te marrin masat me te renda ndeshkimore per dy prej futbollisteve te Apolonise qe sipas tyre nuk jane te denja per te luajtur futboll. Ja reagimi i plote:

REAGIM

KFF “Juban Danja- Murlani” përmes këtij reagimi kërkon të sqarojë mediat por edhe opinionin sportiv në lidhje me një ngjarje të pakëndshme të ndodhur në ndeshjen e sotme ndaj ekipit të Apolonisë në fushën tonë.

Gjatë gjithë zhvillimit të takimit, disa prej futbollisteve të ekipit mik dhe veçanërisht Egzona Gashi ka provokuar lojtaret e ekipit tonë, për të mbërritur tek minuta e 72-të kur ajo ka sharë e ofenduar rëndë një prej lojtareve tona, në prani edhe të arbitres së takimit.

Kuptohet që pas agravimit të situatës, në fushë ka patur zënka në mes lojtareve të të dy ekipeve dhe për çudi në ato momente, futbollistja tjetër e Apolonisë, Liridona Gashi e cila është e dënuar nga Komisioni i Disiplinës dhe e pezulluar për këtë ndeshje, është futur në fushën e lojës nga vendi pranë dhomave të zhveshjes ku ka qenë duke qëndruar, është futur në fushë dhe ka goditur lojtaret tona.

Një situatë e pakuptimtë në të cilën janë përfshirë edhe lojtare të tjera dhe ajo që të bën përshtypje është se ndëshkimi nga arbitrja ka ardhur për një futbolliste të Apolonisë dhe dy futbolliste tonat. KFF Juban Danja- Murlani përmes këtij reagimi dënon ashpër sjelljen e dy futbollisteve të Apolonisë, motrave Egzona dhe Liridona Gashi të cilat janë dënuar edhe më përpara për sjellje të tilla dhe ndaj tyre padyshim që duhet marrë masa të rënda ndëshkimore dhe përjashtimin e tyre përgjithmonë nga futbolli.

Sjelljet e tyre, fjalori që përdorin në fushën e lojës nuk është i denjë as për gjininë mashkullore dhe në këto rrethana kur vetë FSHF po bën përpjekje të mëdha për zhvillimin e futbollit të femrave, për afrimin edhe të elementit të ri, me sjellje të tilla veçse i largon gjithnjë e më shumë.

Nëse në ndeshjen e sotme, KFF Juban Danja- Murlani nuk do të kishte marrë masat e duhura organizative, gjendja në fushën sportive mund të kishte agravuar shumë rëndë, duke parë edhe irritimin shumë të madh të prindërve të futbollisteve tona apo dhe personave të tjerë të pranishëm. Megjithatë, veprime të tilla si ato të motrave Gashi duhet të marrin ndëshkimin e merituar sepse kjo nuk ndihmon në zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë.

KFF Juban Danja- Murlani ka qenë shembull në organizimin e ndeshjeve dhe i tillë do të jetë edhe në vazhdim, por ndodhi si kjo e sotmja nuk duhet të ndodhin më sepse kanë provokuar rëndë sedrën dhe nervat e të gjithë pjestarëve të ekipit tonë.