Presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza ka mohuar që në institucionin që ai drejton të ketë mbërritur një peticion i firmosur nga përfaqësues të disa klubeve dhe shoqatave të vendit që kërkojnë shkarkimin e tij. Ai madje, ka dashur ta injoruar një histori të tillë peticionesh duke shprehur bindjen e plotë se nuk ka ndër mend as të dorëhiqet nga ky pozicion dhe po ashtu, as nuk do ketë Asamble të Jashtëzakonshme Zgjedhore në këto momente siç kërkojnë kundërshtarët e tij.
Presidenti Leqejza është dukur i vendosur në këto çfarë ka thënë teksa për do të deklaronte: “Unë nuk kam dijeni që një peticion i tillë të ketë mbërritur në Federatë. Pastaj kjo historia e peticioneve është një histori shqiptare. Nuk mendoj se ia vlen të merremi me të tilla gjëra. Më e mira do ishte të bënim peticione për më shumë stërvitje, më shumë angazhim dhe seriozitet në punë nga të gjithë ne, për ta çuar më lart këtë sport. A ka ndodhur për shembull ndonjëherë në ushtri që “kapteri” të shkarkojë “gjeneralin”? Them që jo dhe mendoj se edhe në Shqipëri nuk mund të ndodhë një gjë e tillë”. Vetë presidenti e pranon se në komunitetin e boksit mund të ketë të pakënaqur prej tij. Kjo ndodh ngaqë ai duket se u ka prishur pak punë disa trajnerëve në mënyrën e funksionimit të gjërave të këtij sporti. Por për të bërë ndryshime në kreun e këtij institucioni, nganjëherë nuk vlejnë shumë as peticionet. Këtë e ka thënë presidenti Leqejza kur ka shtuar: “Ne jemi një Federatë me rregulla, s’mund ta vendosë dokushdo kur do ketë Asamble dhe kur jo. Secili duhet të bëjë punën e tij ashtu si duhet. Nëse ka alternativa të tjera për këtë post, kur t’i vijë koha, t’i paraqesë ato dhe do jetë komuniteti i boksit ai që do vendosë se kujt do ia japë votën. Unë nuk mendoj kurrsesi se situata tek Federata jonë është problematike. Madje në mbledhjen e fundit të kryesisë para pak ditësh, që ka qenë një mbledhje model, të gjithë anëtarët e saj kanë qenë të kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat, kemi marrë vlerësime ne si drejtues etj. Prandaj, këto pakënaqësira të vogla që mund të ekzistojnë nuk mund t’i prishin planet tona”. Tashmë duhet pritur se çfarë do ndodhë. Një pjesë e mirë e klubeve kanë bërë gati biznesmenin Kalilvopulli për presidenti, por kur presidenti aktual pyetet për këtë gjë, ai do të thoshte: Kam respekt shumë për Florend (Fulin) Kalivopullin që thuhet se dëshiron të bëhet president i boksit. Atë e kam mik dhe nëse ka vendosur të hedhë paratë e tij tek ky sport, është i mirëpritur. Do na ndihmonte shumë për të ecur më përpara, për të hartuar sëbashku strategji të reja për këtë sport”. Ftesa ndaj Kalivopullit është e hapur por jo për t’i lënë karrigen. Leqejza është i qartë në këtë gjë kur në fund do thoshte: “Se kam ndër mend të hapë krahun. Jam njeri që kur i kam hyrë një inisiative, jam munduar ta çoj deri në fund. Kemi bërë shumë ndryshime në Federatën e Boksit, na presin edhe sfida të tjera në të ardhmen dhe unë premtoj se do bëj më të mirën për këtë gjë. Jam një drejtues i Federatës së boksit që vërtetë nuk vij nga fusha e boksit por kam përvojën dhe idetë e duhura për ta menaxhuar dhe drejtuar këtë sport. Kur isha së fundi në kongresin e Federatës Botërore të Boksit, aty ku Kosova u anëtarësua me të drejta të plota në këtë Federatë, konstatova se shumica e presidentëve nuk kishin lidhje me boksin. Madje kishte prej atyre që ishin 15 apo 20 vjet në atë post ndërsa këtu tek ne duam t’i ndryshojmë presidentët çdo ditë e kjo nuk është aspak normale”.
Gjergj KOLA