Ky sezon mund të konsiderohet i mbyllur për Renato Malotën. Kjo për faktin e thjeshtë se ai është dënuar për katër javë nga Disiplina pas kartonit të kuq të marrë ndaj Luftëtarit “për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes”, arsyetuar nga Komisioni.

Mirëpo mbrojtësi lezhjan i Vllaznisë shprehet se gjithçka në këtë vendim ka qenë jashtë logjike dhe tejet absurde. “Kam mbetur i habitur nga ai vendim.

Nga çfarë është vënë re në fushë, nga gjithë djemtë e po ashtu edhe nga pamjet filmime, nuk kam ofenduar dhe për më tepër sharë arbitrin e ndeshjes.

Ka qenë thjeshtë një gjest instiktiv. Nuk e mendoj se do ta mbyll këtu sezonin, por do ta ankimoj këtë vendim tërësisht të padrejtë”, është shprehur mbrojtësi Malota. Për ankimimin lojtari duhet të bëjë pagesën brenda 3 ditëve dhe të presë Apelin.