Ka mjaftuar lajmi i interesimit të Veleçikut për të marrë dy lojtarë tek Vllaznia, njëri prej të cilëve ishte edhe Belajdi Pusi dhe kjo duket se e ka shqetësuar vetë lojtarin. Me një reagim poshtë shkrimit, ai pyet duke përdorur edhe ironinë: “Paska ik Pusi??? Po habitem”.

Në fakt e gjitha kjo pas një deklarate të bërë nga trajneri i skuadrës koplikase Besnik Duli i cili do të shprehej: “Ne tashmë i quajmë të Veleçikut tre futbollistët që kanë qenë pjesë e Vllaznisë: Nimanin, Rajçeviq e Pusin”.

Ai e bënte fakt të kryer këtë gjë dhe mbase mund të ketë diçka në këtë mes dhe ndoshta edhe kontakte në mes dy klubeve. Por vetë lojtari mesa duket nuk është në dijeni të kësaj. Dhe po ashtu, mund edhe të mos ketë dëshirë të lëvizë.

Duhet thënë se rreth këtij lojtari ka patur shumë zhurmë kohët e fundit sepse stafi i Vllaznisë nuk i ka dhënë hapësirat e duhura për të treguar vlerat e tij dhe për rrjedhojë, është dërguar të luajë me ekipin “B” shpeshherë.

Nuk përjashtohet mundësia që vetë Pusi të dëshirojë të shkojë në ndonjë ekip tjetër, por pse jo edhe të qëndrojë tek Vllaznia derisa të fitojë besimin e trajnerit Lika.

Ai është një nga sulmuesit më të spikatur të Akademisë Vllaznia këto vitet e fundit megjithatë aktualisht sulmi i ekipit të parë i është besuar dy të huajve, brazilianit Junior dhe nigerianit Eziamaka ndërkohë që për të nuk ka patur hapësira.
© shkodrasport.com