Vllaznia në volejboll për meshkuj ka arritur që të marrë një tjetër fitore ndaj Skënderbeut, këtë herë për Kupë, teksa eleminuan korçarët nga ky kompeticion me rezultatin 3-2.

Pas ndeshjes, trajneri i ekipit shkodran, Artan Kalaja ka folur për këtë përballje të Kupës së Shqipërisë, teksa kjo ndeshje prodhoi mjaft rivalitet në fushën e lojës. Kalaja u shpreh se Skënderbeu është një skuadër shumë e fortë, ndërsa theksoi se në disa momente të ndeshjes, volejbollistët e drejtuar prej tij “fjetën mbi dafina”.

Trajneri i Vllaznisë kishte një koment edhe për tre shkodranët e Skënderbeut, pikërisht për Gledis Dibrën, Tuad Drinazin dhe Klaudio Prekën, teksa tha se që të tre volejbollistëve iu ka kërkuar që të qëndrojnë në Shkodër, pasi i ka pëlqyer dhe i ka pasur në preferencat e tij ato, por në fund Dibra, Drinazi dhe Preka bënë një zgjedhje tjetër për të ardhmen e tyre.

“Unë e kam deklaruar qysh ndeshjen tjetër që Skënderbeu është një skuadër e fortë. Ajo luajti shumë mirë, por duhet të them që ne duke pasur fitoren e kampionatit, unë mendoj se djemtë “fjetën mbi dafina” dhe e neglizhuan dhe bënë shumë gabime. Atë e tregoi jo vetëm seti i parë, por edhe seti i katërt kur ne ishim shumë pikë përpara.

Unë nuk kam thënë asnjëherë që Skënderbeu nuk është skuadër e mirë, por kam thënë që është një skuadër e mirë dhe me çfarëdo lloj skuadre, duhet të luajmë fort. Po nuk luajtëm fort, nuk mundemi të fitojmë. Megjithatë, e rëndësishme është që ne fituam dhe jemi brenda objektivit.

Skënderbeun e mundëm dy herë dhe shpresojmë që, një gjë të tillë ta bëjmë edhe në fazën e dytë. E rëndësishme është që unë mendoj që ne duhet të evitojmë gabimet e vogla, sepse ne bëjmë gjëra të mëdha dhe gabime të vogla. Kështu që, këto ndeshje janë edhe mësim për ne.

Shpresojmë që të na keni filmuar, sepse ju na ndihmoni shumë edhe me filmimet e ndeshjeve dhe ne kemi mundësi për t’i studiuar më mirë. Ne mbajmë statistika, por kur i shohim është edhe më mirë dhe mund t’i analizojmë veprimet tona. Gjithsesi, një detyrë u krye dhe kemi detyra të tjera në vazhdim. Objektivi jonë është të futemi në katër skuadrat finaliste të Kupës.

Shkodranët e Skënderbeut? Drinazi është kërkuar që të vijnë, por ai na ka thënë që do të shkojë në Francë. Lloshi e ka lënë qysh vjet, që me 15-dhjetor të 2021 nuk ka dalë më në stërvitje. Ndërkohë, me Klaudio Prekën, ai gjatë verës ishte në punë dhe erdhi pak vonë. Unë i thashë të vijnë, por ishte momenti i ndarjes së fondeve dhe ishte pak vonë.

Të tre volejbollistët unë i kam pëlqyer dhe të tre i dua fort, por në fund të fundit janë zgjedhjet e tyre. Për mua kishte qenë më mirë të ishin këtu. Ne nuk kemi pasur asgjë me ta. Unë po ju them që Drinazit i është ofruar dhe ka thënë se do të shkojë në Francë. Patjetër që me ata në ekip, ne do të ishim më të fortë, sepse kështu është realiteti.

Messi nuk ka luajtur me asnjë skuadër argjentinase akoma. Kështu që, kemi shembuj sa të duam. Mua më bëhet qejfi që bëhet loja e fortë, që ka konkurrencë dhe më bëhet qejfi edhe pastaj që ne fitojmë në këtë kompeticion që fituam.

Unë me Drinazin, Lloshin dhe Prekën nuk kam asgjë. Unë jam me atë që këtu çdo gjë bëhet me stërvitje. Këtu kush nuk stërvitet nuk ka mundësi për të luajtur. Ndoshta edhe ata nuk e kanë pasur mundësinë për të qenë në stërvitje rregullisht, si Tuadi, si Lloshi.

Megjithatë, unë i pëlqej të tre volejbollistët. Unë nuk kam asgjë me ta. Ata janë ish-sportistët e mi, nuk ka asgjë të keqe. Megjithatë, ato kanë qenë zgjedhjet e tyre. Unë nuk e di pse kanë qenë të pakënaqur prej meje. Unë kam qenë i kënaqur gjithmonë me ta”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në volejboll për meshkuj, Artan Kalaja.
Maringlen ZHIVANI