Shoqata e basketbollit Vllaznia ka reaguar ashper sot permes nje deklarate ku ka akuzuar Federaten Shqiptare te Basketbollit per aplikimin e rregullave te reja qe nuk jane te shkruara ne asnje dokument zyrtar para fillimit te sezonit. Çdo gje mesa duket ka te beje me vendimin e saj per ta luajtur ndeshjen çerekfinale te Kupes ne fushe asnjanese dhe jo ne Shkoder siç e ka patur rregullorja. Ja reagimi i plote i saj:

Reagim i Shoqatës së Basketbollit Vllaznia

Skuadra jonë do të zbresë nesër në parket për të zhvilluar ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Tiranës, në Elbasan. Si klubi më i vjetër pjesëmarrës në këtë kompeticion, Vllaznia e respekton maksimalisht këtë kupë dhe historinë e saj.

Megjithatë, ndjejmë detyrimin të shprehim shqetësimin tonë lidhur me vendimet e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila gjatë gjysmës së sezonit ka aplikuar rregulla të reja që nuk janë të shkruara në asnjë dokument zyrtar të fillimit të sezonit.

Në rregulloren e shpërndarë nga vetë Federata në fillim të sezonit, në pikën 4, “Sistemi i Ndeshjeve”, dhe në pikën 4.5 të saj për Kupën e Shqipërisë për meshkuj dhe femra, thuhet qartë se turi eliminator dhe faza çerekfinale zhvillohen me një ndeshje në fushën e skuadrës më të mirë të renditur sezonin e kaluar, ndërsa faza gjysmëfinale do të luhet në një vend të caktuar nga Federata.

Gjithashtu, në këtë seksion përcaktohet se çdo klub që tërhiqet nga kjo garë, para ose gjatë saj, do të ndëshkohet financiarisht me 300,000 lekë.

Shoqata e Basketbollit Vllaznia ka paraqitur një kërkesë zyrtare ndaj Federatës për këtë çështje dhe përgjigja e vetme e marrë ka qenë se Federata ndjek “praktikat më të mira në botë”, pa dhënë asnjë shpjegim lidhur me shkeljen e rregullores së saj, pa asnjë konsultim me klubet pjesëmarrëse.

Megjithëse këto ndryshime nuk favorizojnë Vllazninë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rrugëtimin e skuadrës sonë në këtë kupë duke favorizuar skuadra të tjera, ekipi ynë do të respektojë angazhimin e tij dhe do të zbresë në fushë për të dhënë maksimumin.

Ne kërkojmë transparencë dhe respektim të rregullave të përcaktuara në fillim të sezonit, si një standard i domosdoshëm për zhvillimin e drejtë të basketbollit shqiptar.