Pasditen e sotme ka qarkulluar një lajm në lidhje me një mundësi largimi të futbollistit Nurudeen Orelesi nga Vllaznia.
Ndonëse duhen edhe gjashtë ndeshje nga fundi i kampionatit, sigurisht që lajme të tilla duket se kanë prishur disi qetësinë në kampin shkodran.
Jo më kot, pak minuta më parë, KF Vllaznia përmes faqes së saj zyrtare ka dalë me një sqarim ku mohon gjithçka.
Madje bën të ditur se i ka rinovuar pikërisht sot lejen e punës dhe bisedimet për rinovimin e kontratës kanë nisur. Ja sqarimi i plotë i klubit kuqeblu:
SQARIM
Gjatë ditës së sotme në portale të ndryshme ka qarkulluar lajmi për mundësinë e largimit të futbollistit Nurudeen Orelesi dhe të mosrinovimit të tij me Vllaznisë.
Natyrisht që lajme të tilla të pavërteta si për çështjen e rinovimit të kontratës apo dhe abuzimet për pagesat mujore që lojtari përfiton, ndikojnë për keq në ecurinë e skuadrës tonë.
Pikë së pari, sqarojmë se të tilla lajme në momente të tilla ku ndodhet kampionati, padyshim që janë keqdashëse ndaj Vllaznisë sepse Orelesi është një nga futbollistët më të rëndësishëm të saj.
Së dytë, pikërisht sot, KF Vllaznia i ka rinovuar lejen e punës futbollisit në fjalë në organet kompetente të punësimit shtetëror, çka tregon se drejtuesit e tij kanë dëshirë ta mbajnë lojtarin edhe për sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye kanë nisur bisedimet për rinovimin e kontratës.
Në këto kushte, do të kërkonim nga ana e mediave të bëjnë më kujdes me lajme të tilla në këto momente sepse Vllaznia vërtetë ndodhet në momente jo të mira, por kjo nuk do të thotë se drejtuesit e saj nuk po punojnë edhe për të ardhmen.
Shpresojmë dhe urojmë që e gjithë kjo të mos bëhet me dashje me synim për të prishur harmoninë në rradhët e skuadrës tonë.
KF Vllaznia