Lajmi që ka qarkulluar ditët e fundit nëpër ambjente të ndryshme sportive dhe i publikuar sot nëpër portale të ndryshme në lidhje me shkëmbimin e mundshëm të mbrojtësit Alla me mesfushorin Krymi në mes ekipeve të Kukësit dhe Vllaznisë, sigurisht që bëri jo pak bujë. Shumëkush në Shkodër ka qenë kundër këtij shkëmbimi, nisur nga vlerat që disponon mesfushori 21 vjeçar dhe për më tepër, nisur nga fakti se ai është idhull i tifozërisë.
Ndërkohë, burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se asnjëherë nuk e kanë çuar ndër mend një shkëmbim të tillë. Kuqeblutë kanë qenë vërtetë të interesuar për mbrojtësin Alla por vetëm nëse ai do të lihej i lirë nga Kukësi. Pra, nuk është bërë fjalë për ndërrimin e tij me Krymin. Dhe kështu ka ndodhur. Mbrojtësi kukësianë ka udhëtuar sot bashkë me skuadrën e tij për në Turqi ndërsa mesfushori shkodran do të udhëtojë këto ditë drejt Malit të Zi me Vllazninë për të nisur fazën përgatitore. Një histori e tillë kësisoj mbyllet këtu.
© shkodrasport.com