Ndeshje e lehtë në letër për Vllazninë ajo e sotmja ndaj Korabit megjithatë në Shkodër nuk e mendojnë kështu. Për më tepër që drejtuesit e saj janë “acaruar” edhe nga një fakt tjetër. Në luftën e nisur për rimarrjen e vendit të katërt në renditje që mbahet aktualisht nga Luftëtari i Gjirokastrës, ata sot do t’i arbitrojë një treshe gjirokastrite!!! Koinçidencë apo rastësi, ata nuk kanë dashur të paragjykojnë këto arbitra por i kanë tërhequr vëmendjen FSHF-së se një gjë e tillë nuk është normale. Për këtë arsye, pak minuta më parë, klubi shkodran ka dalë me një komunikatë për shtyp ku thuhet:
Komunikatë për shtyp
Klubi i Futbollit Vllaznia ka mësuar prej burimeve të ndryshme se ndeshjen e sotme Vllaznia- Korabi, do të jenë tre arbitra të kolegjiumit të Gjirokastrës me një kryesor që sipas informacioneve tona, arbitron për herë të parë në Superligë. Sigurisht që ne i urojmë suksese në karrierën e saponisur dhe absolutisht nuk kemi asgjë me të dhe po ashtu asnjë lloj paragjykimi për mënyrën si do të arbitrojë. Por nga ana tjetër, mendojmë se nuk është logjike që një arbitër gjirokastrit të drejtojë Vllazninë e cila është në konkurrencë me Luftëtarin e Gjirokastrës për vendin e katërt në renditjë. Pyetja jonë është: Çfarë do të kishin menduar drejtuesit, futbollistët dhe tifozët e Luftëtarit nëse në takimin ndaj Skënderbeut do t’i arbitronte një shkodran? Pavarësisht këtyre gjërave, urojmë dhe shpresojmë që arbitrimi të mos ketë asnjë problem në takimin tonë ndaj Korabit dhe i urojmë suksese në karrierën e saponisur arbitrit gjirokastrit.